Fillimi i mbarë gjysma e punës. Kjo thënie vlen shumë veçanërisht për ushqyerjen e fëmijës tuaj në vitin e parë të jetës. Që në vegjëli fëmija juaj jo vetëm që mësohet me shijen, por përmes një ushqyerjeje të shëndetshme merr edhe të gjitha vitaminat, mineralet dhe lëndët ushqyese të domosdoshme për të.
Suzana Gjevori, mjeke e konsultores në Qendrën Shëndetësore nr. 9 në Tiranë iu shpjegon nënave të reja kur duhet filluar ushqimi, qoftë kur ato ushqejnë beben me qumësht gjiri apo me qumësht formule, cilat janë ushqimet e para që duhen filluar, si dhe çfarë qëndrimi duhet të mbajnë ato përballë linjës klasike të ushqyerjes dhe të resë.
Qumështi i gjirit është ushqimi më i rëndësishëm për ushqyerjen e fëmijës në vitin e parë të jetës. Por mund të ndodhë që në pamundësi nënat ta ushqejnë me qumësht formule. Por paralelisht me këtë ushqyerje, kur këshillohet të fillohet ushqimi?
Qumështi i gjirit është vërtet ushqimi absolutisht më me shumë vlera për një rritje dhe zhvillim optimal të fëmijës. Përfitimet e ushqyerjes me gji janë dypalëshe, duke përfshirë këtu nënën dhe fëmijën. Por në rast të pamjaftueshmërisë sasiore të qumështit të gjirit, nënat zgjedhin si alternativë qumështin formulë.
Sigurisht që teknologjia farmaceutike ka avancuar në imitimin e vlerave ushqyese të qumështit të nënës, duke e bërë këtë alternativë ushqyerjeje të vlefshme. Por sigurisht që një organizëm në rritje dhe evoluim si ai i bebes pasqyrohet dhe me kërkesa shtesë në ushqyerje, ndaj në ndjekje të kërkesave dhe nevojave të fëmijës është e këshillueshme të eksperimentohet midis muajit të katërt dhe të gjashtë me ushqime paksa me viskoze që vijnë në formën e muhalebive me drithëra, me miell orizi me shije frutash.
Mund të provohet kosi e kombinime të frutave në formë puresh të këndshme. Çdo shtesë ushqimi kërkon kohë në adaptimin sasior e cilësor të shqisave të të shijuarit të bebit me ushqimet e reja. Kjo do të thotë që një ushqim i ri fillohet me sasi të vogla, duke shtuar kështu sasinë në një vakt me dakordësinë e fëmijës. Pas muajit të gjashtë vijohet me shtesat e filluara më herët, duke alternuar më shumë shije dhe produkte.
Në gjashtëmujorin e dytë kërkesat e fëmijës janë më të gjera ndaj dhe ushqimet që përgatiten janë relativisht më kalorike. Gjatë kësaj periudhë fillohen supat me perime, pa kripë të shtuar por me djathë dhe me vaj ulliri për ta bërë vaktin më të shijshëm.
Supat mund të përgatiten më lëngun e mishit, ndërsa mishi i viçit, pulës, peshkut, lepurit etj., fillohen të konsumohen fillimisht të bluara e më pas të copëzuara mbi moshën 10-muajshe. Gjatë periudhës 8−12-muajshe dieta shtohet me elemente të tilla, si: fasulja, thjerrëza, bizelja, spinaqi, qiqra, trahanaja etj.
Të gjitha këto ushqime duhet të përgatiten në një formë lehtësisht të përtypshme nga fëmija, të bluara, të grira për të evituar mbytjen. Pas muajit të nëntë fillohet të provohet e verdha e vezës, më pas edhe e bardha. Sasia maksimale e vezëve është dy herë në javë. Pas çdo ushqimi të ri, jini të vëmendshëm për të parë si reagon fëmija, nëse ka apo jo shenja të ndjeshmërisë ndaj ushqimit, të cilat manifestohen me shenja në lëkurë, vështirësi në frymëmarrje apo edema etj. Për çdo rast të dyshimtë duhet bërë konsulta me mjekun.
Cilat janë ushqimet bazike për të cilat fëmijët kanë nevojë, nisur nga domosdoshmëria për hekur, kalcium dhe vitamina?
Një fëmijë me ushqyerjen me qumësht gjiri merr të gjithë përbërësit ushqimorë të nevojshëm përmes qumështit të gjirit e nuk ka domosdoshmërinë e ushqimeve specifike shtesë, ndaj as dhënia e ujit nuk këshillohet gjatë kësaj ushqyerjeje natyrale.
Por një fëmijë që ka filluar shtesën ushqimore duhet të konsumojë patatet e ëmbla, kungullin, lëngun e kumbullës, zarzavate (spinaq, panxhar, perime të gjelbra), thjerrëzat, mishin për shkak të përmbajtjes së lartë të hekurit. Për të plotësuar nevojat për kalcium të organizmit të fëmijës rekomandohet kosi, djathi, qumështi e bulmete të ndryshme. Brokoli, bizelja, spinaqi janë gjithashtu burime shumë të mira për kalciumin.
Ka një interval kohe (d.m.th. një herë në sa kohë duhet ushqyer), si ta kuptojmë cilat ushqime pëlqen fëmija dhe kur është ngopur?
Ushqyerja e fëmijës është një proces që kërkon mbi të gjitha komunikimin mes nënës dhe bebit. Fëmija duhet të ushqehet çdo 3-4 orë, por intervali është individual. Nëse fëmija juaj konsumon sasi të vogla ushqimi mund të ketë hapësira më të shkurtra ndërmjet vakteve ndaj duhet ushqyer pak dhe nga shpesh.
Disa fëmijë të tjerë mund të konsumojnë sasi të konsiderueshme ushqimi në një vakt dhe rrjedhimisht nevojat për ushqyerje te këta fëmijë janë më të shpërndara në kohë. Bebja juaj ju komunikon për ushqimet e tij të preferuara duke i konsumuar ato, në të kundërt refuzon me veprimet të tilla si mbyllja e gojës, refuzimi për biberonin/lugën, të qarat, provokimi i të vjellës.
Të gjitha këto duhet të bëjnë prindërit të heqin dorë duke këmbëngulur. Ngopja është një tjetër moment të cilin fëmija e shpreh përmes refuzimit, largon biberonin/lugën, qan nëse ju këmbëngulni, provokon të vjellën. Vëmendja dhe respekti për dëshirat e fëmijës edhe në lidhje me ushqyerjen e tij janë themelore.
Cilat ushqime duhen shmangur? Cilat kanë predispozitë për alergji? Cilat janë linjat e reja të ushqyerjes që këshillohen?
Në ushqyerjen e një fëmijë ka disa ushqime apo përbërës ushqimorë që duhen shmangur. Në vitin e parë të jetës fëmija nuk duhet të konsumojë ushqime me kripë ose sheqer të shtuar. Këta përbërës sforcojnë organizmin e një fëmijë për t’i përpunuar elementet.
Ushqimet pikante janë të kundërindikuara, ushqimet e skuqura gjithashtu. Fëmija nuk duhet të konsumojë mjaltin në dy vitet e para të jetës pasi ky i fundit mund të rezultojë edhe jetëkërcënues. Dieta e ushqyerjes së fëmijës duhet të përmbajë sa më pak përpunim ushqimor, përbërës sa më shumë organike.
Po sa u takon alergjive që shkaktohen nga ushqimet, ku duhet treguar kujdes?
Në lidhje me predispozitën për alergji, çdo ushqim mund të shkaktojë alergji ushqimore, por shumica e alergjive ushqimore shkaktohen nga qumështi i lopës, veza, kikirikët, soja, gruri, arrat, peshqit (të tillë si: ton, salmon, etj.), karkalecat, fruta deti janë shkaqet më të zakonshme të reagimeve të ashpra.
Duke qenë se çdo fëmijë është i ndryshëm, alergjitë mund të ndodhin në ushqime të tjera të tilla, si: mish, fruta, perime, drithëra dhe fara susam. Alergjitë ushqimore janë të shpeshta gjatë vitit të parë të jetës. Është vlerësuar se 80% deri në 90% të alergjive ndaj vezës, qumështit, grurit dhe alergjive të sojës kalojnë rreth moshës 5-vjeçare.