Këshilli Etik i Odës së Mjekëve të Kosovës e ka shpallë fajtor drejtorin e Klinikës së Radiologjisë Bujar Gjikollin, për mospërdorimin e faksimilit zyrtar të lëshuar nga OMK.
“Këshilli Etik i OMK-së ju njofton se të paraqiturin dr. Bujar Gjikolli e ka gjetur Përgjegjës për shkeljen etike nga Neni 5 i Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore, për arsye se i njejti nuk ka respektuar vendimet e organeve të Odës së Mjekëve të Kosovës, përkatësisht Vendimin nr. 58 të datës 24.04.2019 të Këshillit Drejtues të OMK-së, përmes të cilit ka hyrë në fuqi përdorimi obligativ i vulave (faksimilave) të autorizuara dhe të prodhuara nga OMK nga data 1 maj e vitit 2019”, thuhet në përgjigjen e OMK-së për Gazetën Shneta.
Për këtë shkelje të rëndë, Këshilli Etik ka marr vendim për shqiptimin e masës disiplinore të Qortimit Publik ndaj Gjikollit.
Ndonëse në raste të tjera Këshilli Etik pati shqiptuar gjoba në vlerë 1 mijë euro për mospërdorimin e faksimilit zyrtar, ky organ në rastin e Gjikollit ka marr si rrethanë lehtësuese faktin se radiologu ka tërhequr faksimilin zyrtar të Odës me datë 14.03.2019 dhe i njejti bazuar në Raportin e Inspektimit specifik pranë Klinikës së Radiologjisë të bërë me datë 08.05.2020 nga Inspektorati Shëndetësor, ka përdorur faksimilin e OMK-së e po ashtu në seancën e shqyrtimit kryesor ka theksuar se me të pranuar faksimilin me thirrje akademike e përdor vetëm atë. “Andaj, Këshilli Etik ka konsideruar se masa e shqiptuar me këtë vendim është e mjaftueshme për të arritur qëllimin e sanksionit disiplinor me rastin e zhvillimit të kësaj procedure”, thuhet në përgjigje.
Në anën tjetër KE e ka shfajësuar Gjikollin në rastin e kontrastit. Ndonëse grupi i ekspertëve kishin konstatuar se është bërë gabim profesional në protokollin e dozimit të kontrastit, Këshilli Etik ka refuzuar fletëparaqitjen e Prokurorit.
KE ka marr këtë vendim duke arsyetuar se operatori ekonomik i cili e ka furnizuar QKUK-në me kontrast është vonuar në dërgimin e udhëzuesit për përdorim.
“Fakti i mos dorëzimit me kohë të protokolit udhëzues mbi përdorim të kontrasit nga ana e kompanisë furnizuese, nuk është kontestuar nga asnjëra palë, madje në vetë fletëparaqitjen e tij Prokurori i Odës ka konstatuar këtë gjendje faktike duke thënë se i paraqituri në mungesë të informacioneve zyrtare nga kompania furnizuese ka aplikuar atë sipas principeve të vjetra (0.1ml/kg peshë trupore), kurse me të marrë njoftimin nga kompania furnizuese ka rregulluar brenda dy ditëve këtë gjë duke udhëzuar aplikimin në 0.2ml/kg peshë trupore. Po ashtu mos dorëzimi i protokolit udhëzues për përdorim të kontrastit nga kompania furnizuese, është konstatuar edhe me rastin e inspektimit specifik në Klinikën e Radiologjisë nga ana e Inspektoratit Shëndetësor, sipas kërkesës së Prokurorit të Odës”, thuhet në përgjigjen e OMK-së. /Gazeta Shneta/