Dy gjinekologë të Kosovës formuan vetëm dy fjali me nga tre rreshta për të zbutur gabimin e gjinekologut turk Ahmet Payasli me pacienten kosovare
Pacientja M.B. është ankuar ndaj gjinekologut turk Ahmet Payasli, i cili i kishte rekomanduar lindje natyrale në kohën kur pesha e bebes ishte 4970 gramë. Kjo kishte shkaktuar disa komplikime tek foshnja, infeksion në mushkëri, lëndim të krahut si dhe deformim të kokës.
Nëna ishte ankuar në Inspektoratin Shëndetësor pasi siç kishte deklaruar, gjinekologu turk i kishte thënë se pesha e bebes është 3200 gramë. Këtë e kishte mohuar Payasli në raportin e tij, duke thënë se nuk ka pasur mundësi të përcaktojë peshën për shkak të obezitetit të nënës, shkruan Gazeta Shneta.
Inspektorati kishte kërkuar mendim nga Komisioni Etik i SHSKUK-së dhe ky i fundit ka kthyer një përgjigje të bazuar në mendimin e konzoliumit të përbërë nga disa mjekë. Gjinekologët Fehmi Ahmeti dhe Burim Krasniqi, kanë formuar dy fjali me nga tre rreshta ku e kanë zbutur deri në pakuptimësi gabimin e Payaslit.
“Duke u bazuar në mendimin e profesionistëve të lëmisë së ngushtë, obeziteti i gruas shtatzënë pengon në matjen dhe verifikimin e përafërt të peshës fetale, me ç’rast mund të bëhen gabime në vlerësim. Ndërsa aparati i ultra tingullit në mënyrë automatike bën kalkulimin e peshës së fetusit”.
“Pesha e fetusit prej 4970 g është indikacion relativ për lindje me S.C. pasi aty ndikojnë edhe faktorë të tjerë siç janë gjerësia e komblikut të gruas shtatzënë, përcjellja e mekanizmit normal të lindjes, prandaj obstetri vendos në bazë të situatës konkrete gjatë rrjedhës së lindjes”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Pesha e fetusit në barkun e nënës përcaktohet duke matur diametrin bipariental të kokës, cirkumferencen e abdomenit, cirkumferencen e kokës edhe gjatësinë e femurit. Nëse këto matje do të bëheshin saktë, atëherë nuk ka shanse që ultrazëri ta bëjë gabim përcaktimin e peshës.
Kjo përgjigje e relativizuar nuk pritet të merret për bazë nga Bordi për Licencimin e Profesionistëve Shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë. Jo zyrtarisht Gazeta Shneta ka mësuar se ky Bord nuk do ta rilicencojë Payaslin, të cilit i ka skaduar licenca që nga muaji shtator i vitit të kaluar.
Ndërsa në fund të raportit Rushit Jashari neurolog, Nerimane Abazi fiziatër, Haki Prebreza ortoped, konstatojnë se fëmija N.M. vuan ende nga një paralizë e lehtë. /Gazeta Shneta/