Në Fakultetin e Mjekësisë janë publikuar Buletinet të cilat përmbajnë vlerësimet e komisioneve për kandidatët e propozuar për avancim në pozitat Profesor i Asocuar dhe Profesor i Rregullt.
Në Buletinin nr. 16 janë publikuar 14 referate me vlerësimet e komisioneve për dhjetëra kandidatë për avancim në pozitën Profesor i Asocuar dhe Profesor i Rregullt. Në shumicën e pozitave kanë garuar vetëm nga një kandidat, shkruan Gazeta Shneta.
Në lëndët e anatomisë komisioni i përbërë nga Ragip Shabani-kryesues dhe anëtarët Hasime Qorraj-Bytyqi dhe Burim Neziri, kanë propozuar avancimin e kandidatit Afrim Shabani për pozitën Profesor i asocuar. Shabani ka qenë i vetmi kandidat për këtë pozitë. Ai ishte zgjedhur profesor asistent në vitin 2018.

Ky komision për pozitën e njëjtë e ka propozuar edhe Premtim Rashitin. Edhe Rashiti ishte përzgjedhur profesor asistent në vitin 2018.

Në degën e Stomatologjisë komisioni i përbërë nga Agim Begzati, Resmije Ademi-Abdyli dhe Gloria Staka, kanë propozuar Jehona Ahmedin dhe Zana Aganin për avancim në pozitën Profesor Asistent.

Ndërkaq njëra nga anëtaret e këtij komisioni, Resmije Ademi-Abdyli është propozuar për avancim në pozitën Profesor i rregullt. Komisioni në rastin e saj është përbërë nga Gloria Staka, Blerim Kamberi dhe Agim Begzati.

Tutje Naser Ramadani i cili është drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik është propozuar për titullin Profesor i rregullt nga komisioni në përbërje të Tahire Gjergji, Merita Berisha dhe Enver Roshi.

Për avancim në pozitën Profesor i asocuar është propozuar edhe Adnan Bozalija nga komisioni i përbërë nga Dashnor Nebija, Kreshnik Hoti dhe Mimoza Basholli-Salihu në departamentin e Farmacisë.

Për pozitën Profesor i Asocuar në Mjekësi Interne kanë garuar dy kandidate Argjira Juniku-Shkololli dhe Merita Emini-Sadiku. Komisioni i përbërë nga Gani Bajraktari – kryesues, dhe anëtarët Adriana Babameto dhe Jovan Basho, e kanë propozuar për avancim Juniku-Shkolollin. Emini-Sadiku është refuzuar me arsyetimin se kjo pikë e konkursit ka qenë për ri-emërim/avancim.


Për avancim nga Profesor Asistent në Profesor të Asocuar është propozuar edhe kandidati Fehim Haliti në Degën e Stomatologjisë. Ai është vlerësuar nga komisioni i përbërë nga Fatmir Dragidella, Albena Reshitaj dhe Natasa Ivancic-Jokic.

Luljeta Ahmetaj poashtu është kandidatja e cila është propozuar për avancim në pozitën Profesor i Asocuar nga komisioni i përbërë nga Hatixhe Latifi-Pupovci, Besa Gacaferri-Lumezi dhe Violeta Loka-Berisha.

Në Pediatri kandidati Naim Zeka është propozuar për avancim në pozitën e Profesorit të Asocuar nga Komisioni i përbërë nga Lidvana Spahiu, Vlora Ismaili-Jaha dhe Afrim Blyta, shkruan Gazeta Shneta.

Në Stomatologji është propozuar për avancim në pozitën Profesor i Asocuar edhe kandidatja Teuta Pustina-Krasniqi nga komisioni në përbërje të Gloria Staka, Kujtim Shala dhe Fatmir Dragidella.

Valbona Beqaj-Zhjeqi është kandidatja e radhës e cila është propozuar që të avancohet nga Profesor Asistent në pozitën Profesor i Asocuar në Departamentin e Mjekësisë Sociale. Këtë propozim e ka dhënë komisioni i përbërë nga Merita Berisha, Tahire Maloku-Gjergji dhe Naim Jerliu.

Kandidatja e fundit në këtë Buletin është Venera Berisha-Muharremi e cila poashtu është propozuar për avancim në pozitën Profesor i Asocuar nga komisioni i përbërë nga Gani Bajraktari, Shpend Elezi dhe Ragip Shabani.

Buletini nr. 17
Violeta Vula është kandidatja e radhës e cila është propozuar për avancim në Degën e Stomatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë. Komisioni i përbërë nga Blerim Kamberi, Fatmir Dragidella dhe Miranda Stavileci, e kanë propozuar Vulën për avancim në pozitën Profesor i Asocuar.

Në Radiologji ish-drejtoresha e klinikës Serbeze Kabashi-Muçaj është propozuar për pozitën Profesor i Rregullt. Komisioni në përbërje të Rabip Shabani, Meleq Bahtijari, Aqif Gjokutaj, e kanë propozuar Kabashi-Muçajn për pozitën Profesor i Rregullt në tri lëndë obligative dhe një zgjedhore.

Titullin profesor i rregullt mund ta marr edhe Ramë Miftari në Mjekësi Nukleare. Ai është propozuar për këtë titull nga komisioni Meleq Bahtijari, Amela Begic dhe Aqif Gjokutaj.

Isme Humolli është propozuar për pozitën Profesor i Rregullt në Epidemiologji. Propozimi është dhënë nga komisioni i përbërë prej Tahire Maloku-Gjergji, Merita Berisha dhe Enver Roshi.

Thirrjen profesor i rregullt mund ta marr edhe Ibrahim Rudhani. Për këtë titull ai është propozuar nga komisioni i përbërë nga Gani Bajraktari, Shpend Elezi dhe Ragip Shabani.

Komisioni i përbërë nga Tahire Gjergji, Merita Berisha dhe Enver Roshi kanë propozuar për titullin Profesor i Rregullt kandidatin Sefedin Muçaj.

Në Biomjekësi kandidatja Zana Baruti-Gafurri është propozuar poashtu për avancim në thirrjen Profesor i Asocuar. Këtë propozim e kanë dhënë Komisioni vlerësues në përbërje të Shaip Krasniqi, Valdete Topçiu dhe Serbeze Kabashi Muçaj.

Sipas rregullores me numër 886 “Për procedurat përzgjedhëse lidhur me emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik” në Universitetin e Prishtinës, thirrjen akademike profesor i rregullt neni 4 dhe profesor i asocuar neni 5, mund ta përfitojnë kandidatët të cilët kanë:
- Një numër të rëndësishëm të monografive, teksteve mësimore, publikimeve në revista ndërkombëtare shkencore me më së paku 5 punime kryesore të publikuara në revista ndërkombëtare, si autor i parë ose korrespodent.
- Pjesëmarrje aktive në konferencat kombëtare dhe ndërkombëtare
- Përvojë afatgjatë në projekte të kërkimeve themelore dhe të aplikueshme
- Aftësi të larta mësimore dhe pedagogjike përmes praktikës së arsyeshme
- Aftësi për udhëheqje akademike.
- Udhëheqje të temave master dhe të doktoratës.
Ndërkaq për thirrjen profesor i asocuar kandidatët duhet të kenë:
- Gradën doktor shkence;
- Të ketë një numër të zgjedhur të monografive, publikimeve në revista ndërkombëtare shkencore me më së paku 3 punime kryesore të publikuara në revista ndërkombëtare si autor i parë ose korrespodent;
- Të tregojë aftësi për mësimdhënie
- Të dëshmojë punë, dije dhe mjeshtëri në lëndën e lëmit përkatës.
Në këtë rregullore poashtu është e bashkëngjitur poashtu edhe shtojca e cila e përcakton vlerëismin e revistave ku janë publikuar punimet shkencore. Revistat duhet të jenë të indeksuara në njërën nga bazat akademike të përcaktuara në këtë shtojcë. /Gazeta Shneta/





