Një studim i ri sugjeron se ekspozimi ndaj një grupi kimikatesh sintetike të njohura si PFAS – të quajtura ndryshe “kimikatet e përjetshme” – mund të rrisë rrezikun për zhvillimin e diabetit të tipit 2.
Sipas vlerësimeve të shkencëtarëve, një në nëntë të rritur në botë jeton me diabet, ndërsa mbi 90% e rasteve i përkasin tipit 2, shkruan Medical News Today përcjell Gazeta Shneta.
Përveç faktorëve të njohur si obeziteti, predispozita gjenetike, mënyra e jetesës sedentare, pirja e duhanit dhe ushqyerja e pashëndetshme, studimet e mëparshme kanë treguar se edhe ndotësit mjedisorë – përfshirë ndotjen e ajrit dhe disa kimikate – mund të ndikojnë në shfaqjen e kësaj sëmundjeje.
“Diabeti i tipit 2 është një sëmundje komplekse dhe nuk mund të shpjegohet plotësisht vetëm nga gjenetika,” tha Dr. Vishal Midya nga Shkolla e Mjekësisë në Mount Sinai. Ai është autori korrespondent i studimit të publikuar së fundmi në revistën “eBioMedicine”, i cili analizon efektet e PFAS te të rriturit e shëndetshëm në Nju Jork.
PFAS gjenden në një gamë të gjerë produktesh të përditshme, përfshirë detergjentët, paketimet ushqimore, enët, veshjet rezistente ndaj ujit, shkumat për fikjen e zjarrit dhe produktet kundër njollave. Këto substanca njihen si “kimikate të përjetshme” sepse nuk shpërbëhen natyrshëm, duke ndotur ujin, tokën dhe potencialisht edhe zinxhirin ushqimor.
Në kuadër të studimit, shkencëtarët analizuan të dhënat mjekësore të 53,790 pjesëmarrësve. Ata krahasuan nivelet e PFAS në gjakun e 180 personave të sapodiagnostikuar me diabet me ato të një grupi të ngjashëm pa sëmundjen.
Sipas Midya, ky është ndër studimet e para që shqyrton ndikimin e PFAS te individët e shëndetshëm përpara se sëmundja të diagnostikohet klinikisht. /Gazeta Shneta/


