Kirurgu shqiptar, Gazmend Morina, ka patentuar javë më parë kapëse kirurgjikale, të cilat do të dalin së shpejti në treg, me emrin “Morina”.
Ai ka bërë të ditur ekskluzivisht për albinfo.ch punën e tij të gjatë në gjetjen e një zgjidhjeje për lehtësimin e operacioneve te thyerjet e kockave, zakonisht kockave të gjata. Pra, bëhet fjalë për kockat e ekstremiteteve.
“Ky inovacion, apo ky zbulim ka ardhur si rezultat i punës sime shumëvjeçare, ku gjatë reponimit të kockave shpeshherë detyroheshim të operonim në hapësira të vogla me dy e tri vegla (kapëse) që kufizonin hapësirën dhe efikasitetin e punës. Ideja më ka lindur në vitin 2020. Në pranverë të atij viti kam hulumtuar nëse ka diçka të ngjashme në treg dhe duke e parë sesa i nevojshëm është ky instrument, kam filluar të punoj, shpesh deri në gjysmë të natës, në netët pa gjumë si kirurg, e deri në përpunimin e idesë finale”, thotë Morina.
Kapëset kirurgjikale janë patentuar dhe kanë kaluar në përgjegjësi të firmës prodhuese Ulrich AG. Dr. Gazmend Morina ndjehet i lehtësuar dhe shpreson që një ditë ato të gjenden në secilin spital të botës me emrin e tij shqiptar. Kapëset kirurgjikale do të shpërndahen tek kirurgët si mjet pune, ku fillimisht përfitojnë pacientët, sepse shkurtohet koha e operimit. Kurse kirurgët do të jenë në gjendje me një lëvizje të stabilizojnë kockat dhe të jenë më preciz e me efikas.
“Kompania që e ka marrë përsipër prodhimin është duke punuar dhe shumë shpejt, ndoshta nuk do të kalojnë javët kur unë do ta përdor i pari në spitalin Schwyz dhe pastaj sipas rezultatit do të përdoret shpejt në mënyrë serike nga firma Ulrich, me të cilën kam një raport shumë të mirë dhe shpresoj që edhe bashkëpunimi të jetë i suksesshëm. Kjo firmë është e specializuar për instrumente kirurgjike dhe është e njohur për punën dhe cilësinë e saj. Në spitalin tonë kemi shumë produkte, instrumente të prodhuara nga kjo firmë”, shpjegon për albinfo.ch Dr. Morina.
Para pesë vjetëve ka imigruar në Zvicër
Kirurg i përgjithshëm, kryemjek në spitalin e Schwyz-it dhe zëvendës i shefit në rehabilitacion. Titulli Dr.med që e kishte marrë në Kosovë, i është pranuar bashkë me diplomën. Shkollën fillore dhe të mesme e ka përfunduar në Gjakovë. Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë.
“Në Gjermani më është kërkuar t`i përfundoj edhe disa provime për nostrifikimin e diplomës. Specializimin e kam përfunduar në Frankfurt dhe aty kam vazhduar punën si asistent. Mirëpo jam nostalgjik dhe më mungon takimi me shoqëri e bashkatdhetarë. Profesioni i kirurgut është i tillë që nuk të lë shumë hapësirë të lirë. Gjermania është e madhe dhe mbajtja e kontakteve me miq e shokë nuk është e lehtë. Ndërkohë që dija se në Zvicër sistemi shëndetësor është më i organizuar. Plus ka një numër të madh të bashkatdhetarëve tanë që jetojnë këtu. Kam miq e familjarë dhe, vendosa të zhvendosem në Zvicër. Unë jam paksa nostalgjik dhe më mungonte takimi me shoqëri. Kështu që në Zvicër e plotësoj këtë vakum.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në albinfo.ch