Emisioni “Ftesë në pesë” dje ka pasur një mysafire mjaft të veçantë!
Ajo është Ajlin Alfredaj, 28-vjeçarja nga Tropoja që ka arritur të kryejë 2 fakultete edhe psë është nënë e 7 fëmijëve.
Mamatë e dinë sa e vështirë është të ushqesh një fëmijë, imagjinoni si duhet të jetë të kesh të 7 të tillë. Mami Ajlin tregoi për Bietën dhe publikun se fëmijëve u pëlqen të ushqehen sa më shëndetshëm, e hanë shumë supën, sidomos atë me karota, spinaq dhe brokoli), por ‘’detyrohet’’ t’u hedh edhe nga pak sallam.
Por Ajlin nuk ka hequr dorë as nga rritja profesionale. Ajo ka kryer studimet në mësuesi dhe drejtësi, dhe momentalisht punon si juriste në bashkinë e Bajram Currit. Ajlin është bërë mama për herë të parë në moshën 21-vjeçare më dy binjakë, djalë dhe vajzë, të cilët sot janë 7 vjeç. Fëmijët e dytë janë 4 vjeç, binjakët e tretë janë 3 vjeç, kurse më e vogla e familjes Kenza është vetëm 1 vjeç e gjysmë.
Për mamanë e re, të kesh 7 fëmijë është një bekim i madh dhe ajo ndihet shumë e lumtur për familjen e bukur që ka. Madje Ajlin thotë që nuk e sheh kurrë gotën gjysmë bosh, dhe se nuk do ta ndërronte jetën që ka me asgjë tjetër.