Klinika e Oftalmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës tash e dy javë nuk është e furnizuar me komplet llojet e thjerrëzave – të nevojshëm për operimin e syve.
Drejtori i kësaj klinike, Ardian Shabani, sqaron se janë në procedurë të prokurimit për blerjen e materialit shpenzues jashtë Listës Esenciale duke përfshirë edhe thjerrëzat intraokulare.
“Në periudhë shumë të shkurtër do të perfundojnë procedurat e prokurimit dhe do të furnizohemi me thjerrëza intraokulare”, thotë ai.
Shabani njofton se gjatë kësaj periudhe janë operuar vetëm pacientët të cilëve i janë përshtatur thjerrëzat me të cilat kanë qenë të furnizuar ndërsa pjesa tjetër e pacientëve është në pritje për operime, pas furnizimit me thjerrëza.
“Tash e dy javë na u kanë harxhu thjerrëzat, procedurat e prokurimit po vonohen ngapak. Po shpresoj që mbasë bajramit me fillu me i bo (operimet) nëse kemi pas (thjerrëza). Që ju ka përshtatë (thjerrëza) ndonjë pacienti e kemi operu mirëpo tani nuk kanë mbetë të gjitha”, sqaron tutje ai.
Klinikat në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës tash e disa muaj janë të “vërshuara” nga listat e gjata të pritjeve për operime, në këtë listë hynë edhe pacientët e Klinikës së Syve apo Oftalmologjisë.
Aktualisht në këtë klinikë lista e pritjes së pacientëve është rreth 1 mijë.
Në anën tjetër, drejtori tregon se në total brenda një ditë në klinikën e syve bëhen deri në 20 operime.
Mungesa e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit ka penguar në tenderim edhe për disa produkte tjera. Për shkak të procedurave të tenderimit klinikat në ShSKUK kanë pasur vështëri në furnizim me Jod, penjë kirurgjikal e materiale tjera shpenzuese.
Gazeta Shneta ditë më parë gjithashtu ka raportuar edhe për mungesën e barnave nëpër klinikat e spitalet rajonale në vend. /Gazeta Shneta/
QKMF në Ferizaj në mungesë të Jodit dhe 16 llojeve të barnave nga lista esenciale