Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj mungojnë 16 lloje të barnave nga lista esenciale.
Sa i përket materialeve shpenzuese, koordinatori i Barnatorës Qendrore në Ferizaj, Arben Mehmeti, thotë se tash e gjashtë muaj kanë mungesë të Povidon jod 10% sol e për të cilën ai thotë se furnizimin janë duke e bërë përmes buxhetit komunal shkruan Gazeta Shneta.
“Në planifikimin gjashtë mujor kemi të planifikuar 294 artikuj nga lista e barnave esenciale, nga planifikimi që kemi, jemi furnizuar me 200-274 artikuj ,varësisht nga stoku momental në depon qendrore në Ministrisë së Shëndetësisë”, thotë ai në një prononcim për Gazetën Shneta.
Në anën tjetër, nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur se aktualisht furnizimet nga Lista Esenciale e barnave janë rreth 75% ndërsa për materiale shpenzuese janë mbi 85 % përderisa thonë se është përmirsuar dukshëm furnizimi me barna dhe material shpenzues.
“Furnizimet nga Lista Esenciale e barnave janë në nivel rreth 75% për barna dhe mbi 85% për materiale shpenzuese. Normalisht, përderisa lista nuk është 100% e mbuluar si me materiale shpenzuese ashtu edhe me barna, mund të ketë produkte që mungojnë kohë pas kohe”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për Gazetën Shneta.
Ministria e Shëndetësisë thekson se janë në procedura për të siguruar edhe produkte të tjera “për të cilat ka kërkesa dhe planifikime nga institucionet shëndetësore të Kujdesit Parësor Shëndetësor”
Gazeta ka kërkuar sqarim nga drejtori i shëndetësisë në komunën e Ferizajt, Kemajl Eminin, se sa kohë ka që QKMF është në mungesë të këtyre barnave mirëpo i njejti nuk ka kthyer përgjigje.
Barnat të cilat mungojnë në QKMF:
Manitol 20%sol dhe Glicerin Trinitrat ampulla tretëse për infusione, Methylprednisolon 40 mg ampull – ilaç i cili përdoret për disa sëmundje duke përfshirë edhe kancerin, Budesonide-Formrtrol spry apo inhalim, Nifedipine tablet – medikament për parandalim të dhimbjeve të gjoksit, Diclofenak ampull, Fenofibrat capsul – bari për ulje të kolesterolit apo yndyrës në gjakë, Ofloxacin sol – medikament për trajtimin e infeksioneve në sy, Timolol sol, Tobramicin sol.
Propylthyuracil 50 mg Tablet, Levodopa- Carbiodopa 250mg dhe 25 mg, Verapamil ampull, Clorhexidine sol, Olanzapine 10 mg Tablet, Prednisolon Tablet.
Mungesa e barnave dhe materialeve shpenzuese është dukshëm e theksuar edhe në QKMF tjera në vend.
Depo e Barnave dhe Materialeve Shpenzuese – Ferizaj Foto: Gazeta Shneta 10.03.2022