Analizat e fundit të bazuara në provat klinike sugjerojnë se klopidogreli, një ilaç antiplatil që ndihmon në parandalimin e mpiksjes së gjakut, mund të ofrojë përfitime të konsiderueshme në krahasim me aspirinin për pacientët me sëmundje të arterieve koronare dhe ata që kanë kaluar një procedurë të hapjes së arterieve me stent.
Në një meta-analizë që përfshiu rreth 19,494 pacientë, përdorimi i klopidogrelit pas trajtimit antiplatil dyfish (aspirinë + klopidogrel) rezultoi me ulje të ndjeshme të ngjarjeve kardiovaskulare kryesore, përfshirë ataket në zemër dhe goditjet cerebrale, krahasuar me aspirinen si monoterapi, shkruan Pubmed, transmeton Gazeta Shneta.
Për shembull, klopidogreli u lidh me rrezik më të ulët të ngjarjeve serioze kardiovaskulare, përfshirë infarkt miokardi dhe goditje. Po ashtu, studimi tregoi se nuk kishte dallim të rëndësishëm në incidencën e vdekjeve për çdo shkak ose në ngjarjet e mëdha të gjakderdhjes midis dy grupeve të pacientëve, duke sugjeruar se klopidogreli ishte jo vetëm efektiv, por edhe i sigurt për përdorim afatgjatë në këta pacientë.
Një tjetër meta-analizë e publikuar nga kërkuesit gjithashtu tregoi se tek pacientët me sëmundje të arterieve koronare, klopidogreli si monoterapi lidhej me rrezik më të ulët të ngjarjeve të mëdha kardiake dhe cerebrovaskulare(përfshirë infarkt miokardi dhe goditje) krahasuar me aspirinen, si dhe me një lidhje të mundshme me rrezik më të ulët të gjakderdhjes së rëndë edhe pse efikasiteti i aspirines dhe klopidogrelit në vdekje për çdo shkak mbeti i ngjashëm.
Studiuesit nënvizojnë se këto gjetje ofrojnë dëshmi se klopidogreli mund të jetë një alternativë më efektive se aspirina në parandalimin e ngjarjeve serioze kardiovaskulare, sidomos tek pacientët me rrezik të lartë ose ata që kanë kaluar një intervenim të arterieve koronare.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se zgjedhja mes këtyre dy barnave duhet të jetë individuale, duke marrë parasysh historikun shëndetësor të pacientit, tolerancën ndaj medikamenteve dhe rreziqet e mundshme, përfshirë gjakderdhjet.
Kjo lloj provë tregon se përdorimi i klopidogrelit si monoterapi mund të ketë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në parandalimin e atakeve në zemër dhe goditjeve cerebrale, duke ndihmuar mjekët të marrin vendime më të informuara për trajtimin afatgjatë të pacientëve me sëmundje të zemrës. /Gazeta Shneta/


