Kolegji i Kirurgëve të Kosovës po synon që ta vendos revistën KJS si kriter për avancime në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës.
Kolegji i Kirurgëve të Kosovës i cili udhëhiqet nga ish-ministri Rifat Latifi, ka bërë të ditur se në mbledhjen e Bordit Editorial të revistës “Kosova Journal of Surgery” ka njoftuar për disa vendime që janë marr në lidhje me këtë revistë, shkruan Gazeta Shneta.
Një nga këto vendime është edhe kërkesa për përkrahje që publikimet në këtë revistë të bëhen kriter për avancime akademike.
Për këtë çështje Bordi ka vendosur që të mbajë diskutime me Universitetin e Prishtinës dhe Fakultetin e Mjekësisë.
“Me qëllim të mbështetjes së KJS si e vetmja revistë shkencore e mjekësisë në Kosovë, u propozua që të zhvillohen diskutime të përbashkëta mes KCS, OMK, UP dhe FM, në mënyrë që të shihet zgjidhja për përfshirjen e KJS si revistë ku autorët vendorë do t’i botojnë punimet e tyre edhe si kriter për avancime akademike”, thuhet në njoftim.
Sipas këtij njoftimi, publikimet në KJS tashmë janë pranuar nga Universiteti Shtetëror i Shkupit.
“Tashmë Universiteti Shtetëror i Shkupit, Maqedoni e Veriut, i pranon botimet e punimeve në revistën tonë përbrenda kritereve për avancime akademike”, thuhet në njoftimin e Kolegjit të Kirurgëve.
Revista KJS vitin e kaluar ka publikuar vëllimin e parë. /Gazeta Shneta/




