Sëmundjet kardiovaskulare (SKV), si infarkti dhe goditjet në tru, mbeten shkaku kryesor i vdekjeve në mbarë botën. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në vitin 2022 ato përbënin 32% të të gjitha vdekjeve dhe 38% të vdekjeve të parakohshme globalisht. Një nga faktorët kryesorë të rrezikut për këto sëmundje është niveli i lartë i kolesterolit në gjak.
Kolesteroli LDL, i njohur si “kolesteroli i keq”, rrit ndjeshëm rrezikun për sëmundjet e zemrës, ndërsa kolesteroli HDL, ose “i mirë”, ndihmon në uljen e këtij rreziku. Këta tregues mund të përmirësohen përmes një diete të shëndetshme, aktivitetit fizik, shmangies së duhanit dhe kur është e nevojshme, përdorimit të barnave si statinat, shkruan Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Megjithatë, ekziston edhe një lloj tjetër lipoproteine, lipoproteina(a) ose Lp(a), e cila ndikohet kryesisht nga faktorët gjenetikë dhe nuk ulet ndjeshëm përmes ndryshimeve në stilin e jetesës.
Një studim i ri, i udhëhequr nga studiues në “Brigham and Women’s Hospital”, në Boston dhe i publikuar në revistën “JAMA Cardiology”, ka treguar se nivelet e larta të Lp(a) rrisin ndjeshëm rrezikun 30-vjeçar për sëmundje kardiovaskulare, edhe tek gratë që konsiderohen ndryshe të shëndetshme. Ky zbulim e thekson Lp(a) si një parashikues të rëndësishëm afatgjatë të rrezikut kardiovaskular.
Autorët e studimit sugjerojnë që mjekët të marrin në konsideratë testimin rutinë të Lp(a), për të identifikuar herët personat me rrezik të lartë dhe për të nisur masat parandaluese në kohë.
Sipas autorit kryesor, Dr. Ask T. Nordestgaard, këto gjetje tregojnë qartë se matja e Lp(a) është thelbësore për parandalimin e hershëm të sëmundjeve të zemrës tek individët me nivele shumë të larta, edhe para shfaqjes së simptomave. /Gazeta Shneta/


