Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se ka regjistruar raste të reja me sëmundjen ngjitëse të kollës së mirë, apo siç njihet ndryshe edhe si pertussis.
Në lidhje me këtë, për Gazeta Shneta, nga IKSHPK kanë deklaruar se vetëm gjatë vitit 2024, në Kosova janë raportuar 21 raste të Pertussis të konfirmuara në mënyrë laboratorike.
Simptomat e kollës së mirë sipas IKSHPK ngjajnë me ato të një ftohjeje të zakonshme, duke përfshirë teshtitjen, rrjedhjen e hundës, temperaturë të ulët dhe një kollë të lehtë.
“Simptomat zakonisht shfaqen 7 deri në 10 ditë pas infektimit, por mund të shfaqen edhe deri në 21 ditë më vonë. Fillimisht, simptomat ngjajnë me ato të një ftohjeje të zakonshme, duke përfshirë teshtitjen, rrjedhjen e hundës, temperaturë të ulët dhe një kollë të lehtë”, thanë IKSHPK.
Sa i përket masave që kanë ndërmarrë instituti, në përgjigjen e tyre, ata thanë se janë në mbikqyrje të vazhdueshme të situatës epidemiologjike.
“IKSHPK bën mbikëqyrjen e vazhdueshme aktive të situatës epidemiologjike, heton dhe hulumton rastet e mundshme të Pertusis, gjurmon kontaktet e tyre, I raporton ato, këmbën informacionet me shërbimet shëndetësore për të dhënë udhëzime adekuate rreth sëmundjes dhe bën mbikëqyrjen e zbatimit të Kalendarit të rregullt të vaksinimit, ku është e përfshira edhe vaksina kundër kësaj sëmundjeje. Gjithashtu, bën edhe ndërgjegjësimin e publikut dhe prindërve për rëndësinë dhe përfitimet nga vaksinimi si mënyra më e mirë dhe e drejtpërdrejt për ta parandaluar Pertusisin dhe sëmundjet e tjera infective që parandalohen përmes vaksinimit”, u shprehën nga IKSHPK.
Sa për përqindjen e vaksinimit të fëmijëve me vaksinën DTaP, nga IKSHPK thanë se përqindja e vaksinimit me vaksinat nga Kalendari i rregullt i vaksinimit në Kosovë në vitin e fundit është 92%, dhe përqindja e vaksinimit me vaksinën DTaP është mbi 90%.
Nga IKSHPK u shprehën se kolla e mirë është sëmundje që mund të shkaktojë komplikime të rënda, duke rekomanduar për prindërit është që t’i vaksinojnë fëmijët duke mos e humbur asnjë dozë.
Ndërsa, për qytetarët që mund të kenë shenja të Pertussis, IKSHPK ka rekomanduar të kërkojnë ndihmën e mjekëve dhe të shmangin kontaktet me personat e tjerë, sidomos me fëmijë të vegjël, të cilët preken më shumë.
“Pertusis është sëmundje që mund të shkaktojë komplikime të rënda. Komplikimet më të shpeshta sidomos te fëmijët e pavaksinuar janë pneumonia dytësore bakteriale, komplikimet neurologjike, infeksioni i veshit të mesëm, dehidrimi, konvulsionet, etj. Kujdesi është veçanërisht i rëndësishëm për foshnjat të cilat nuk e kanë ende kohën e marrjes së dozës së parë (foshnjat prej 0-2 muaj), të cilat duhet të mbrohen nga kontaktet me persona të tjerë (nga moshat më të rritura), që mund të jenë bartës të infeksionit pavarësisht nëse kanë shenja apo jo”, tha IKSHPK-ja.
“Prandaj, rekomandimi i IKSHPK-së për prindërit është që ti vaksinojnë fëmijët duke mos e humbur asnjë dozë, ndërsa për qytetarët që nëse kanë shenja të Pertusis të kërkojnë ndihmën e mjekëve dhe të shmangin kontaktet me personat e tjerë, sidomos me fëmijë të vegjël, të cilët preken më shumë”
“Mbrojtja më e mirë është parandalimi përmes vaksinimit të foshnjave nga mosha 2 muajsh kur jepet doza e parë kundër Kollës së mire, por duke kompletuar ciklin e vaksinimit edhe me dozat e tjera që merren në moshën 4 muajsh, 6 muajsh dhe 18 muajsh”, përfundoi IKSHPK-ja. /Gazeta Shneta/