Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve ka bërë thirrje urgjente ndaj prindërve që të vaksinojnë fëmijët e tyre, pas paraqitjes së rasteve të fruthit tek fëmijët gjatë javëve të fundit në Kosovë.
Sipas KOMF-it, bazuar në të dhënat e institucioneve shëndetësore, deri më tani janë identifikuar 10 raste të fëmijëve të prekur nga fruthi dhe të gjithë fëmijët e infektuar kanë qenë të pavaksinuar.
Organizata ka shprehur shqetësim të veçantë edhe për rënien e mbulueshmërisë me vaksinën MMR, e cila mbron kundër fruthit, shytave dhe rubellës, në grupmoshën 12 deri në 24 muaj.
KOMF vlerëson se ulja e nivelit të vaksinimit rrit ndjeshëm rrezikun për shpërthime të fruthit dhe sëmundjeve të tjera që mund të parandalohen përmes vaksinimit, duke vënë në rrezik shëndetin e fëmijëve dhe komunitetit në përgjithësi.
Në reagimin publik, organizata u ka bërë thirrje të gjithë prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të respektojnë kalendarin e rregullt të vaksinimit, duke theksuar se vaksinimi i fëmijëve është obligim ligjor dhe lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen e shëndetit të tyre.
KOMF ka rikujtuar se vaksinat janë ndër mjetet më efektive për parandalimin e sëmundjeve të rrezikshme infektive, duke theksuar se ato janë të testuara shkencërisht, të sigurta dhe të aprovuara nga institucionet relevante shëndetësore ndërkombëtare.
Po ashtu, organizata ka paralajmëruar prindërit që të mos bien pre e dezinformatave dhe informacioneve të pasakta që qarkullojnë në hapësirat publike dhe online lidhur me vaksinat.
Për çdo paqartësi, prindërit janë inkurajuar të konsultohen me profesionistët shëndetësorë në Qendrat e Mjekësisë Familjare.
Njëkohësisht, KOMF u ka bërë thirrje institucioneve shëndetësore që të intensifikojnë identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar dhe të organizojnë vaksinimin në komunitet, përfshirë qasjen “derë më derë”, me qëllim rritjen e mbulueshmërisë së vaksinimit.
Sipas organizatës, nevojitet një reagim i koordinuar dhe i vazhdueshëm institucional për të parandaluar përhapjen e fruthit dhe për të garantuar mbrojtje efektive të shëndetit të fëmijëve.
KOMF vlerëson se institucionet duhet të shtojnë edhe fushatat vetëdijesuese dhe informimin e vazhdueshëm të prindërve mbi rëndësinë dhe sigurinë e vaksinimit. /Gazeta Shneta/




