Komiteti Kyç i Listës Esenciale të Barnave ka futur disa barna të reja si dhe ka ndryshuar format farmaceutike për disa produkte me arsyetimin e SHSKUK-së për pamundësinë e kontraktimit të tyre.
Këto ndryshime i ka konfirmuar Ministria e Shëndetësisë përmes një përgjigje me shkrim për Gazetën Shneta.
Zyra për Media ka thënë se këto ndryshime janë miratuar nga Komiteti me datën 26 gusht të këtij viti. “Përditësimi i Listës i referohet nevojave specifike lidhur me procedurat e fertilizimit in vitro (IVF), të cilat janë konsideruar si thelbësore për ofrimin e shërbimeve përkatëse nga Klinika e Gjinekologjisë”, thuhet në përgjigje.
Produktet e reja që janë vendosur në Listë janë: progesterone xhel vaginal; clomifene citrate 50mg tab.; bromocriptine 2.5mg tab.; triptoerelin acetate, tretesire per injeksion 0.1 mg/ml sc ose im.
Ndërkaq format farmaceutike janë ndryshuar për këto produkte: chorionic gonadotrophin tretesire per injeksion ne shiringe te para mbushur; 250 mcg /0,5 ml; folitropin alpha tretesire per injeksion ne shiringe te para mbushur; 300 IU /0,5 ml (22 mcg /0,5 ml) dhe folitropin alpha tretesirë per injeksion ne shiringe te para mbushur; 900 IU/1,5 ml (66 mcg/1,5 ml).
Këto ndryshime sipas MSh-së janë bërë “mbi bazën e arsyetimit të Barnatores Qendrore për pamundësinë e kontraktimit me format farmaceutike aktuale”.
Sipas MSh-së kostoja buxhetore për këto ndryshime do të jetë më e ulët sesa planifikimi nga Qendra Klinike Universitare.
“Planifikimi dhe kostimi i produkteve përkatëse është bërë konform numrit të pacientëve që pritet të përfitojnë nga ky shërbim (rreth 250 në vit). Gjithashtu, vlen të theksohet se kostoja totale e barnave të përfshira në këtë përditësim është më e ulët se ajo që tashmë është e planifikuar nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), që nënkupton se nuk ka ndonjë implikim financiar shtesë për buxhetin aktual”, kanë deklaruar nga MSh. /Gazeta Shneta/




