Drejtori i klinikës së Gastroenterologjisë Zaim Gashi dhe Dr. Skender Telaku, po akuzojnë njëri-tjetrin për diploma, derisa pacienti me tumor në gjoks ka mbetur pa marr trajtimin e duhur. Me gjithë sëmundjen që ka, mjekët e kanë futur pacientin në mes të sherrit të tyre duke përdorur një deklaratë të tij secili për anën e vet
Bujar Vitija
Dr. Skender Telaku akuzon drejtorin e klinikës së Gastroenterologjisë se nuk ka diplomë valide të subspecializimit në fushën e gastroenterologjisë. Njëjtë thotë edhe Dr. Zaim Gashi për Telakun.
Ky konflikt ndërmjet mjekëve filloi pas pranimit të një pacienti me tumor në gjoks, në dhomën numër 8 ku punon Telaku, shkruan Gazeta Shneta.
Pacienti B.G. është diagnostikuar me gjëndra të rritura në gjoks dhe sipas Telakut, kirurgët torakal kanë deklaruar se nuk mund të bëjnë intervenim me prerje. Kirurgët kishin kërkuar mendimin e pulmologut dhe Dr. Besim Morina kishte sugjeruar për biopsi të gjëndrave.
Telaku ka insistuar se kjo mund të bëhet vetëm me ultrazë endoskopik, pajisje kjo me të cilën ai punon në ordinancën e tij private në Prishtinë. Këtë e kishte kundërshtuar drejtori i Gastroenterologjisë. Gashi thotë se ky ekzaminim mund të bëhet në klinikë me metoda komplementare të cilat sipas tij janë madje edhe më të sigurta.
Tashmë pacienti ka mbetur peng i akuzave dhe kundër akuzave të mjekëve. Telaku deklaron se i ka treguar pacientit çmimin e këtij intervenimi në ordinancën e tij private, por i ka preferuar të shkojë në Tiranë për ta kryer, për shkak të konfliktit të interesit.
“Pacientit i kam treguar se nuk kemi kushte në QKUK, por i kam tregu se jashtë bëhet. Nuk i kam thënë shko, as nuk i kam dhënë letër. Unë i kam tregu se këtë punë e bëj në ordinancën time, por i kam thënë se nuk po du me ra në konflikt interesi dhe i kam thënë të shkojë në Tiranë”, ka deklaruar Telaku.
Gashi thotë se pacienti ka shkuar në zyrën e tij dhe i ka treguar se çfarë i ka thënë Telaku. Ai e ka rekomanduar pacientin që të nënshkruaj një deklaratë, të cilën e posedon Gazeta Shneta.
“Unë jam i shtrirë në Gastro në dhomën numër 8. Një incizim me bë në Shqipëri ose te doktori”.
“Skender Telaku kushton 450 euro”. Ky pasus i fundit është bërë sherr ndërmjet mjekëve ku në mes është futur pacienti. Telaku akuzon Gashin se e ka shkruar vet. Pacienti poashtu ka deklaruar për Gazeta Shneta se nuk e ka shkruar emrin e Telakut dhe çmimin.
“Është shtuar emri dhe mbiemri i Skenderit dhe ajo pjesa e 450 euro”, ka deklaruar B.G.
Por ka qenë vet Telaku i cili ka pohuar se i ka treguar pacientit çmimin në ordinancën e tij dhe çmimin në Tiranë. Tani Telaku thotë se kjo pjesë është shtuar nga Gashi, por ky i fundit insiston se ka qenë vet pacienti që e ka shkruar, por tani me presionin e Telakut ka ndërruar qëndrim. Gashi akuzon se Telaku ka përfituar me rreth 30 pacientë të cilët i ka marr nga QKUK-ja dhe i ka dërguar në ordinancën e tij private.
Pacienti ishte ftuar për të dhënë deklaratë para Komisionit Disiplinor në kohën kur ishte duke bërë inhalim. Ai vazhdon të mbetet i sëmurë, derisa mjekët merren me akuza ndaj njëri-tjetrit.
“Edhe sot kam me shku me bo inhalim dhe jam ftuar sërish nga Komisioni”, ka thënë ai.
Ia mohojnë njëri-tjetri subspecializimin
Dr. Zaim Gashi ka deklaruar se ka kryer subspecializimin në Shkup dhe ka dhënë provimin në vitin 2005, për çka ofron edhe diplomën si dëshmi, një kopje të së cilës e posedon Gazeta Shneta.
Këtë ia mohon Telaku, duke arsyetuar se në atë kohë nuk ka pasur legjislacion për gastroenterologji.
“Në vitin 2005 nuk ka pas bazë ligjore për subspecializime dhe deri para 2 vitesh nuk ka mundur të ketë licencim. Unë i kam thënë Zaimit se nuk je gastroenterolog dhe kjo po i djeg atij dhe duhet të shkarkohet”, deklaron Telaku.
Të njëjtën akuzë e ka edhe Gashi ndaj Telakut. Gashi madje deklaron se ka qenë vet anëtar i Komisionit kur është licencuar Telaku.
“Telaku nuk e ka diplomën e gastroenterologut sepse unë kam qenë në Komision kur është bërë licencimi i tij. Licencimi i tij nuk është bërë sepse ka diplomë, por është bërë me presione ndaj anëtarëve”, ka thënë Gashi.
Telaku në anën tjetër pohon se është i vetmi kandidat që i plotëson kushtet për të qenë drejtor i Gastroenterologjisë dhe sipas tij, krejt kjo “lojë po bëhet për shkak të kësaj pozitë”.
Ai deklaron se vendimi i ish-ministrit Ferid Agani në vitin 2012 për t’ua njohur përvojën e punës, i avancoi brenda natës mbi 120 mjekë.
“Në vitin 2012 Ferid Agani donte të bëhej profesor dhe brenda natës i bëri njerëzit gastroenterolog, kardiolog, reumatolog…120 veta përfituan nga kjo lojë e Aganit dhe këtë vendim e ka shfuqizuar Gjykata e Apelit dhe Ministria e Shëndetësisë nuk po guxon me zbatu këtë vendim për shkak se janë të përfshirë edhe Basria, Tefiku, Aurora, Zaim Gashi”, është shprehur Telaku.
Ai shton se sipas statutit, për të qenë drejtor i një klinike duhet të jesh me titull të asaj fushe.
Gashi në anën tjetër akuzon Telakun se nuk është hera e parë që ka krijuar probleme në klinikë. Ai thotë se gjatë gjithë kohës i ofendon stafin dhe veçanërisht ndaj tij ka përdorur edhe fjalë fyese, shkruan Gazeta Shneta.
Por Telaku deklaron se kundër tij ka qenë edhe ish-drejtori i SHSKUK-së Curr Gjocaj, i cili me anë të Komisionit Disiplinor ia kishte hequr 20 për qind të rrogës për tre muaj pasi Telaku nuk kishte pranuar të lirojë dhomën numër 8. Këto para, Telaku thotë se ia kishte kthyer inspektorati i punës.
Komisioni Disiplinor së fundmi ka marr vendim për suspendim me 3 muaj nga puna për Telakun. Këtë vendim e ka marr në bazë të ankesës së drejtorit të Gastroenterologjisë, deklaratës së pacientit, si dhe një ankese të stafit ndaj Telakut.
“Jemi të indinjuar me sjelljen e kolegut tonë dr. Skender Telaku ndaj drejtorit të Klinikës dr. Zaim Gashi, në vizitën kryesore të datës 05.12.2017. Fyerja dhe arroganca janë të papranueshme në punën mes kolegëve në Klinikë”.
“Poashtu dr. Skender Telaku në mënyrë të përsëritshme në mbledhje të mëngjesit në Konsilium përdorë fjalor të rëndë ndaj kolegëve dhe fyen ata pa ndonjë shkas apo i nxitur nga dikush”, thuhet në letrën e nënshkruar nga 10 mjekë, dy prej të cilëve janë nënshkruar me leje në emër të tjetrit. (Shih më poshtë letrën)
Telaku ka deklaruar se kjo letër është nënshkruar nën presionin e Gashit dhe se nuk dihet kush është nënshkruar në të. Gashi ka mohuar duke thënë se i gjithë stafi ofendohet vazhdimisht nga Telaku.
Suspendimi ndaj Telakut do të hyjë në fuqi pas kalimit të afatit të ankesave. /Gazeta Shneta/