Drejtoresha e Klinikës së Gjinekologjisë, Dr. Myrvete Paçarada, e cila ka kandiduar edhe për një mandat të dytë, ka thënë se duhet të respektohet ligji dhe kriteret e konkursit ndërsa ka kërkuar që të qenit anëtar i PDK-së nuk duhet të merret si kualitet i kandidatëve. Tre kandidatët tjerë nuk kanë pranuar të flasin as për konkursin e as për planet e tyre nëse përzgjidhen në pozitën e drejtorit
Konkurset në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar nuk po kalojnë pa probleme, ndikime nga jashtë e madje edhe akuza për ryshfet për të zënë një pozitë pune. Konkurrencë e fortë është duke u zhvilluar edhe në konkursin për drejtorë të klinikave në QKUK ku para dy ditësh janë publikuar rezultatet e testit për tetë klinika nga Komisioni në përbërje të Dr. Fakir Spahiut – kryesues dhe anëtarët Dr. Skender Kandiq dhe Dr. Mirdita Hajdari, e cila është ftuar si anëtare rezervë pasi Dr. Fatime Kokollari ka shkuar në pushim vjetor.
Në Klinikën e Gjinekologjisë testin me shkrim e kanë kaluar katër nga gjashtë kandidatë. Dr. Jakup Ismaili ka dal i pari me 80 pikë; Dr. Fehmi Ahmeti 76 pikë; Dr. Myrvete Paçarada 75 pikë; Dr. Shpresa Krasniqi 52 pikë, ndërsa nga testi kanë rënë Dr. Zef Ndrejaj me 33 dhe Dr. Brikenë Dacaj me 28 pikë, shkruan Gazeta Shneta.
Dr. Jakup Ismaili është specialist i gjinekologjisë dhe shef i repartit të Konservativës në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK. Ai ka qenë edhe asamblist nga radhët e PDK-së në Kuvendin Komunal të Shtimes gjatë legjislaturës së kaluar. Ismaili ka qenë subjekt i akuzave për ryshfet në konkursin e fundit për infermierë në SHSKUK. Ai u akuzua nga një kandidate se i kishte kërkuar para për ta pranuar në punë. Rastin e ka hetuar edhe Policia e Kosovës e cila ka konstatuar se nuk ka pasur keqpërdorime. Madje edhe vet kandidatja kishte tërhequr deklaratat e saj. Gazeta ka kontaktuar Ismailin për të marr një deklaratë rreth konkursit, ambicieve dhe planeve të tij për pozitën e drejtorit të Klinikës, por i njëjti ka thënë se do të flas pasi të përfundoj tërë procesi i konkursit.
Edhe Dr. Fehmi Ahmeti është specialist i gjinekologjisë si dhe mban titullin doktor shkence. Ai udhëheq repartin e onkologjisë në Klinikën e Gjinekologjisë, ndërsa nuk ka dëshiruar të flas për konkursin e as për planet e tij nëse zgjidhet në pozitën e drejtorit.
Dr. Myrvete Paçarada e cila doli e treta në testin me shkrim, thotë se ka qenë e pritshme për të që të ketë këtë vlerësim. Ajo deklaron se i ka hyrë garës edhe për një mandat, pasi thotë se klinika ka pasur rezultate mjaft të mira gjatë udhëheqjes së saj. “Jam zgjedhur dy herë menaxhere e vitit, kam qenë prodekane dhe jam senatore në UP. Jam e vetmja kandidate që e plotësojë kriterin e titullit profesor dhe të gjitha këto do të duhej t’i shtoheshin vlerësimit tim nëse respektohet ligji”, deklaron Paçarada.
Ajo thotë se ka hapësirë të madhe ndërmjet saj dhe kundërkandidatëve, ndërsa shpreson që mos të ketë ndërhyrje nga jashtë e veçanërisht të mos vlerësohet si kriter anëtarësia në Partinë Demokratike të Kosovës, pjesë e së cilës ka qenë edhe vet ajo.
“Në këtë konkurs jam e vetmja me titullin profesor dhe po pres me u respektu ligji. Është hapësirë e madhe ndërmjet meje dhe kandidatëve tjerë. E nëse dikush e ka kryer specializimin dhe thotë se jam PDK, kjo nuk duhet të jetë kualitet sepse klinika është institucion shëndetësor dhe arsimor. Edhe mua më patën propozuar për kandidate për deputete nga PDK, por nuk kam pranuar. Klinika duhet të jetë pasuri nacionale dhe interes i veçantë kombëtar. Nëse nuk ka ndikime nga jashtë, atëherë duhet të veprohet sipas ligjit. Nuk kam ndonjë indikacion se nuk do të respektohet ligji”, ka deklaruar Paçarada.
Shkollimi i kërkuar sipas konkursit për drejtor të klinikave, specifikon se kandidatët duhet të kenë arsmim të lartë universitar dhe krahas kualifikimit specialistik, duhet të ketë thirrje akademike ose shkencore të lëmisë së caktuar. Ndërkaq në mungesë të kandidatëve me thirrje akademike ose shkencore, drejtorë të klinikave mund të zgjidhen kandidatët nga radhët e specialistëve. Kurse përparësi kanë kandidatët që kanë kualifikime në lëmin e menaxhimit shëndetësor.
Gazeta ka biseduar edhe me kandidaten e fundit Dr. Shpresa Krasniqi, e cila ka kaluar testin me 52 pikë, por as ajo nuk ka dëshiruar të flas pa përfunduar përzgjedhja e drejtorit nga Komisioni. Kandidatët do t’i nënshtrohen intervistës me gojë ditën e martë më 24 korrik.
Kujtojmë se tashmë janë anuluar dy konkurse pas akuzave për ndikim nga Partia Demokratike e Kosovës. Për drejtor të Spitalit të Vushtrrisë kishte kandiduar Sami Istrefi, ish-drejtor Shërbimeve Publike në këtë komunë kur udhëhiqej nga PDK-ja. Istrefi ishte arrestuar për krim të organizuar në vitin 2012 nga Policia e Kosovës. Ai mori 80 pikë në testin me shkrim në konkursin për drejtor, duke lënë prapa edhe doktorët. Njëjtë ndodhi edhe në pozitën për drejtor të Spitalit të Mitrovicës ku Mimoza Zeqiri poashtu doli e para në testin me shkrim. Zeqiri është gruaja e Lulzim Zeqirit, këshilltar i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. /Gazeta Shneta/