Spanja do të krijojë një regjistër të njerëzve që refuzojnë të vaksinohen kundër koronavirusit ka thënë Ministri i Shëndetësisë.
Ministri Salvador Illa tha se mënyra për të mposhtur virusin ishte “të vaksinojmë të gjithë – sa më shumë aq më mirë” shkruan BBC përcjell Gazeta Shneta.
Spanja ka qenë një nga vendet më të prekura të Evropës me koronavirus.
Aktualisht është duke përgatitur vaksinën Pfizer-BioNTech e cila u miratua për vendet anëtare të BE-së javën e kaluar.
Në një intervistë me televizionin La Sexta, Ministri Illa theksoi se vaksinimi nuk do të ishte i detyrueshëm.
“Ajo që do të bëhet është një regjistër, i cili do të ndahet me partnerët tanë evropianë, të atyre njerëzve që u është ofruar vaksina por thjesht e kanë refuzuar atë,” tha ai.
“Nuk është një dokument i cili do të bëhet publik dhe do të bëhet me respektin maksimal për mbrojtjen e të dhënave”.
Sipas një sondazhi të fundit, numri i qytetarëve spanjollë që kanë thënë se nuk do të marrin vaksinën ka rënë në 28% nga 47% në muajin nëntor.
Në komente të tjera, Ministri Illa tha se njerëzit do të kontaktohen nga autoritetet rajonale kur të jetë radha e tyre për t’u inokuluar.
“Njerëzit që vendosin të mos vaksinohen, gjë që ne mendojmë se është një gabim, janë brenda të drejtave të tyre” u tha ai gazetarëve.
“Ne do të përpiqemi të zgjidhim dyshimet. Bërja e vaksinimit shpëton jetë, është rruga për të dalë nga kjo pandemi”.
Numri i njerëzve që kanë vdekur nga Covid-19 në Spanjë u rrit mbi 50,000 gjatë ditës së hënë.
Vendi ka regjistruar më shumë se 1.8 milion infeksione gjatë pandemisë. /Gazeta Shneta/