Në mbledhjen e 67 të Bordit Drejtues të SHSKUK-së të mbajtur dje ka pasur pak përplasje në mes të kryesuesit Dren Boshnjaku dhe drejtorit Elvir Azizi, si dhe disa kritika nga anëtari Ismet Ramadani.
Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar dje ka mbajtur mbledhjen e 67 ku janë diskutuar katër pika të rendit të ditës: raportimi i drejtorit Elvir Azizi, Draft-Raporti i Punës për vitin 2024, raporti i auditimit për Mjekësinë Sportive, dhe Plani i Veprimit për krijimin e Qendrës për Djegie në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, shkruan Gazeta Shneta.
Pika e parë dhe e dytë kanë qenë dy çështjet që kanë ngritur më shumë diskutime.
Drejtori Azizi gjatë raportimit të tij ka folur për furnizimin me barna dhe materiale tjera mjekësore në javët e fundit në SHSKUK. Ai ka pranuar se kanë pasur vështirësi në furnizim me disa produkte. Azizi ka thënë se kanë pasur sasi të kufizuar të produktit Glukozë 5 për qind 500ml në QKUK dhe në spitale.
Anëtari i Bordit Ismet Ramadani i cili vjen nga Spitali i Gjilanit ka thënë se gjatë kujdestarisë ka pasur mungesë të barnave për terapi.
Azizi është arsyetuar se sasia e produkteve me të cilat furnizohet nga SHSKUK, është e varur nga Lista Esenciale e përcaktuar nga Komiteti Kyq. “Duhet të ndryshohet sasia që është planifikuar nga Komiteti Kyq në Listën Esenciale”, ka thënë Azizi.
“Mënyra se si është menaxhuar stoku është përgjegjësi e drejtorëve të spitaleve. Por secili do të korr atë që e ka mbjellë”, ka thënë Azizi.
Për këtë çështje Zyra për Media e SHSKUK-së pati dal me një reagim publik pas raportimit të mediave për mungesë të barnave. Për këtë reagim kryesuesi i Bordit Dren Boshnjaku ka thënë se Bordi nuk ka qenë fare i njoftuar. Kjo çështje ka shkaktuar një përplasje të butë në mes të Boshnjakut dhe Azizit. I pari i ka kërkuar të dytit që Bordi të njoftohet sa herë që Zyra për Media del me komunikata publike.
“Ne po njoftohemi nga mediat, në vend që të njoftohemi nga Zyra për Media”, ka thënë Boshnjaku.
Azizi ka thënë se nuk e sheh të arsyeshme këtë sepse nuk ka qenë praktikë më herët, përveç në raste të jashtëzakonshme. Boshnjaku ka insistuar se duhet të njoftohet në Bordi, kurse Azizi në fund është dorëzuar dhe ka thënë se do të kërkojë nga Zyra për Media që ta bëj këtë.
Draft-Raporti i punës: Shfrytëzim i ulët i shtretërve, 2.5 milionë s’u shfrytëzuan nga buxheti
Liridon Gashi e ka prezantuar Raportin e Punës për vitin 2024 në mbledhjen e Bordit Drejtues. Sipas këtij raporti buxheti i SHSKUK-së është shfrytëzuar 98 për qind, ndërsa 2.5 milionë Euro kanë mbetur të pa shfrytëzuara nga buxheti për mallra dhe shërbime.
Sipas raportit në vitin 2024 janë kryer mbi 44 mijë operacione, ndërsa kanë qenë të shtrirë mbi 162 mijë pacientë në QKUK dhe spitalet e përgjithshme.
Në raport është theksuar sërish shfrytëzueshmëria e ulët e shtretërve sidomos në spitalet e përgjithshme. QKUK e ka shfrytëzueshmërinë 74 për qind, ndërsa shtatë spitalet e përgjithshme mesataren e shfrytëzimit e kanë 44 për qind.
Për këtë çështje, si dhe për listat e pritjes, kanë reaguar dy anëtarë të Bordit Dren Boshnjaku dhe Ismet Ramadani. Ky i fundit ka kërkuar përgjigje nga Azizi nëse ka kërkuar përgjegjësi ose ka shqiptuar vërejtje ndaj drejtorëve të spitaleve.
Azizi ka thënë se ka kërkuar vazhdimisht përgjegjësi nga drejtorët në lidhje me këtë çështje.
Por kryesuesi Boshnjaku ka deklaruar se çështjen e shfrytëzimit të shtretërve dhe listat e pritjes i kanë ngritur disa herë në takime dhe vizita në spitale, por sërish nuk është adresuar dhe se kjo përbën keqmenaxhim.
“Kjo është keqmenaxhim. Kjo nuk është hera e parë. Kjo është hera e tretë që kemi shkuar atje dhe ua kemi bërë të qartë se shërbimet duhet të jenë kost-efektive. Jo me shtu shtretër dhe me kërku staf. Ua kemi tërhequr vërejtjen dhe prap vazhdon njëjtë. Është për me u shqetësu shumë”, ka deklaruar Boshnjaku.
“Shfrytëzueshmëria e ulët e shtretërve është një gjetje e përsëritur. Në QKUK disa kanë performancë të mirë, por disa të tjera lënë shumë për të dëshiru. Problem tjetër janë listat e pritjes. Shfrytëzueshmëria e shtretërve është 70 për qind kurse listat e pritjes janë të gjata. Ortopedia ka bërë ndryshime në numrin e shtretërve ndërsa nuk ka bërë kërkesë fare. Ne kemi pasur konkluzion që të merret miratimi nga Bordi”, ka thënë Boshnjaku.
Ai ka shtuar se problemi i protezave vazhdon të mbetet shqetësues. “Janë katër salla operative, një nga to të paktën mund të kryejnë një operacion në ditë e pastaj shkon duke u rrit”, ka thënë Boshnjaku.
Boshnjaku ka folur edhe për numrin e vogël të operacioneve në spitalet e përgjithshme.
“Spitali i Vushtrrisë me 1 anesteziolog kryen 1 mijë operacione, kurse Spitali i Prizrenit me 12 anesteziolog kryen 100 për qind ma shumë. Kjo është e papranueshme. Duhet të krijohet një standard sesa operacione duhet të kryej një mjek. Nuk duhet ta lëmë në vullneratizëm”, ka thënë Boshnjaku.
Raporti i punës bashkë me raportin financiar pritet të votohet në mbledhjen e ardhshme. /Gazeta Shneta/




