Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në udhëzimet e fundit, ka rekomanduar zëvendësimin e kripës së zakonshme me alternativa që përmbajnë më pak natrium, veçanërisht kripën e pasur me kalium.
Këshillat për të kufizuar kripën nuk janë të reja, pasi konsumi i lartë i natriumit lidhet drejtpërdrejt me hipertensionin – një gjendje që prek rreth një në tre të rritur dhe rrit rrezikun për sëmundje të zemrës, goditje në tru dhe probleme të veshkave, shkruan burimi The Conversation përcjell Gazeta Shneta.
Sipas OBSH, çdo vit 1.9 milionë vdekje në botë mund t’i atribuohen konsumit të tepruar të kripës.
Edhe pse OBSH rekomandon të mos tejkalohen 2 gramë natrium në ditë, mesatarisht njerëzit konsumojnë rreth 4.3 gramë, pra mbi dyfishin e kufirit. Përpjekjet për ta ulur këtë nivel janë të vështira dhe shumica e vendeve nuk do të arrijnë objektivin e reduktimit me 30% deri në vitin 2025.
Si zgjidhje, futet kripa e pasur me kalium. Ky mineral është thelbësor për funksionimin e organizmit, ndërkohë që konsumohet shpesh më pak se sasia e rekomanduar prej 3.5 gramësh në ditë. Zëvendësimi i kripës së zakonshme me këtë alternativë ndihmon jo vetëm në uljen e natriumit, por edhe në rritjen e marrjes së kaliumit – një kombinim që kontribuon në stabilizimin e presionit të gjakut.
Studimet ndërkombëtare tregojnë se përdorimi i kripës së pasur me kalium ul ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, goditjes në tru dhe vdekjes së parakohshme. /Gazeta Shneta/


