Mbyllja e shërbimeve të urgjencës gjinekologjike dhe obstetrike në Portugali ka sjellë një rritje të ndjeshme të numrit të grave që lindin në autoambulancë. Deri në mes të shtatorit 2025, janë regjistruar 32 lindje të tilla, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Urgjencës Mjekësore (INEM). Në vitin 2023 ishin vetëm 18 raste, ndërsa në 2024 u rritën në 28.
Sipas autoriteteve, të paktën edhe dy lindje të tjera janë asistuar së fundmi nga zjarrfikësit, të cilët shpesh transportojnë gratë shtatzëna drejt spitaleve, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
“Kemi asistuar 15 lindje në autoambulancë – një rekord që nuk e kërkojmë dhe as nuk e duam,” tha Pedro Ferreira, shefi i zjarrfikësve vullnetarë të Moitas. “Vendi për të sjellë një fëmijë në jetë është në maternitet,” shtoi ai.
Në kushtet e krizave të shumta spitalore, me mungesë personeli dhe vonesa në operacione urgjente, INEM raporton mbi 150 lindje jashtë spitaleve nga janari deri në shtator. Numrat kanë qenë në rritje: 169 në 2022, 173 në 2023 dhe 189 në 2024.
Shkaqet më të shpeshta janë thirrjet e vona për autoambulancë dhe mbyllja e shpeshtë e urgjencave në brigjet jugore të lumit Tagus. Kjo situatë prek veçanërisht Spitalet e Barreiro, Setúbal dhe Almada, duke ndikuar më shumë në Gadishullin e Setúbalit.
Zjarrfikësit shpesh transportojnë gratë shtatzëna në spitalet e Lisbonës apo Cascais. Ferreira tregoi se lindja e fundit ndodhi në mes të autostradës, pasi spitali i Barreiros ishte i mbyllur.
Ministrja e Shëndetësisë, Ana Paula Martins, pranoi se tre spitale në Gadishullin e Setúbalit po përballen me “një situatë shumë të vështirë” dhe theksoi se zgjidhja afatgjatë është ndërtimi i një qendre të re për nënën dhe fëmijën, me tender që pritet të hapet në vitin 2026. /Gazeta Shneta/


