Personi më introvert në gjithë rrethin tim sapo do të ndajë me ju një pjesë të jetës së saj – një pjesë të errësirës që, tri vite më parë, kurrë nuk do të guxonte ta bënte.
Nga Diellza Luzha
Një paradite e zakonshme vikendi vjeshte po qëndroja ulur në divanin e shtëpisë, mbështjellë me batanijen time të preferuar dhe po shikoja televizor. Mendjen e kisha të ngarkuar, veçse rreth meje gjithçka ishte e qetë, por diçka më rrëmbeu momentin. Zemra filloi të më rrahë fuqishëm. M’u duk sikur po humbja ndjenjat. Djersët më mbuluan të gjithë trupin dhe mendova se për mua aty ishte fundi.
Por në fakt, nuk ishte asnjëra nga këto. Po përjetoja një sulm ankthi – pas një periudhe të gjatë sfidash që kisha kaluar muajt e fundit.
Gjithmonë kam pasur tension të ulët të gjakut, mendova fillimisht se ishin simptoma të tilla. U ngrita dhe fillova të ec drejt kuzhinës për të marrë diçka të ëmbël, me shpresën që do të stabilizohesha. Këmbët më dridheshin, ndjeja marramendje, dhe mundohesha të marr frymë thellë, duke menduar se ndoshta më mungonte oksigjeni. Gradualisht, u qetësova – por e ndieja se kësaj radhe kjo nuk ishte një rënie e tensionit. Ishte diçka krejt tjetër.
Një ditë më vonë, pas konsultës me psikologen, më tregoi se ajo që kisha përjetuar ishte një sulm ankthi. Ajo ndjesi fizike e frikshme ishte pasojë e ankthit. Ankthi ishte pasojë e emocioneve që i mbaja brenda vetes, ngarkesës e sfidave që isha duke i kaluar në atëkohë. Rreth tre vite më parë.
Si term e kisha dëgjuar edhe më parë, por nuk e dija saktë se çka do të thotë ankth, pse vjen ai, çka duhet të bëj dhe më e rëndësishmja, a do të përjetoj prapë të njëjtën ndjesi?
Të gjitha këto pyetje ia bëra psikologes me të cilën kisha filluar të marrë terapi tash e disa javë.
Përgjigja që më së shumti më interesonte në ato momente ishte nëse prapë do të përjetoja atë ndjesi të tmerrshme që nuk mund ta kontrolloja. Dhe përgjigja ishte e thjeshtë. Po, do ta përjetosh prapë, nëse do ta ngarkosh veten me gjëra që nuk janë nën kontrollin tënd. Ishte e qartë. E drejtpërdrejtë.
Të them të drejtën, në atë moment ndjeja inat për të – për faktin se nuk më dha përgjigjen që unë e doja. Doja të më thoshte se kurrë nuk do ta përjetoj atë ndjesi, madje nëse po të mundja do e kisha zhdukur nga memoria edhe herën e parë që e përjetova.
Në atë moment mendova që gjithçka që po flisja dhe po mundohesha ta diskutoja me të për mua ishte e kotë – sepse mendoja që kurrë nuk do të dal nga kjo situatë. Kurrë nuk do të marrë më frymë shlirë. Kurrë nuk do të jem e lumtur dhe se jeta ime tashmë përkufizohet vetëm tek ajo ndjesi.
Psikologia vazhdonte të më sqaronte dhe të më ofronte këshilla se si të dal nga kjo errësirë. Asgjë nuk më dukej e realizueshme sepse vetëm ideja që mund ta përjetoja prapë më tmerronte. E këtë ndjesi e dinë vetëm ata që e kanë kaluar – ndërsa për ju që nuk përjetuar faza të ankthit, imagjinojeni momentin më të frikshëm që e keni kaluar dhe kujtojeni ndjesinë që e keni përjetuar në atë moment.
Ka pasur momente kur nuk kam dashur të dal nga shtëpia apo të takohem me të tjerët për shkak të frikës që mund të përjetoj ankth dhe nuk do të mund ta përballoj pasi që simptomat e ankthit filluan të përsëriten disa herë brenda ditës.
Ditë pas dite e javë pas jave, duke ia kujtuar vetes se momentet e vështira gjatë jetës kur shpesh kam menduar që nuk do t’i tejkaloj asnjëherë, tashmë janë të kaluara. Gradualisht fillova ta rimarr veten.
Konsultat me psikologen u bënë të shpeshta, e kujdesin ndaj vetes fillova ta bëj përditshmëri. Kujdes, jo vetëm në ushqim, por në mendime, emocione, kujdesesha për kohën time se me kë dhe si po e kaloja. Mbi të gjitha, nuk po luftoja t’i ndryshoj gjërat, por fillova t’i pranoj.
Në momentet kur simptomat e ankthit filloja t’i ndjeja, nuk e luftoja, por edhe atë e pranoja. Në fakt, u detyrova ta pranoj, sepse vetëm duke e pranuar, mendja dhe trupi menjëherë fillojnë të qetësohen. Gjatë terapisë, e kam kuptuar se kur mendja është e fortë, ankthi ikë. Sfidat që isha duke i kaluar më bënin të mendoja që kurrë nuk kam më forcë të përballoj asgjë tjetër.
E kisha pranuar që ajo ndjesi nuk ishte në jetën time kalimtare, por mund të vinte në çdo moment, kudo dhe kurdo. Edhe nëse po kaloja një moment të vështirë apo isha thjesht duke pirë kafe me shoqëri. Por, duke u konsultuar gjithnjë me psikologen, e kam kuptuar që duhet të mos kem frikë sepse asnjë nga mendimet që më vinin si pasojë e ankthit nuk do të ndodhnin. Ato ishin vetëm si pasojë e frikës që e kaplonte komplet trupin dhe mendjen time.
Çdo ditë e më tepër e vëreja ndryshimin, jo vetëm në mënyrën se si e menaxhoja ankthin, por se si i menaxhoja mendimet, sfidat, emocionet e trishtimit dhe lumturisë. Rrjedhimisht, përmes ankthit kam filluar të njoh veten. Kam ndryshuar në shumë gjëra dhe gradualisht gjithë trishtimin po e kthej në forcë.
Ankthi të mëson të durosh, të gjesh forcë e kurajo edhe në momentet më të errëta. Por, e gjithë kjo situatë lehtësohet duke u konsultuar me profesionistë, duke u shprehur me njerëzit që të qëndrojnë afër, dhe më e rëndësishmja të mos e harrosh veten pavarësisht çdo gjëje.
Tash, pothuajse tre vjet pas, e kam kuptuar që ankthi më ka zgjuar– ka qenë si kafja e mëngjesit që të kthjellon për pjesën tjetër të ditës. Andaj, gjithsecili prej nesh duhet të qëndrojë zgjuar pa përjetuar ankth, por edhe nëse përjetojmë, nuk është fundi- është vetëm fillimi i një jete të re.
Kur sfidat e ndryshojnë perceptimin për jetë
Shumë prej jush ndoshta derisa po e lexoni rrëfimin tim mbi ankthin, në mendje mund të keni pyetjen: Çka ka kaluar që e bëri të përjetojë ankth?
Thuajse e gjithë historia fillon me këtë fjali:
“Rezultati i biopsisë është gati dhe mundeni me ardhë me marrë” – Kjo ishte telefonata që e pranova në një ditë gushti të vitit 2022, e të cilën kisha 10 ditë që po e prisja.
Patjetër, u nisa direkt për Prishtinë, në klinikë, ku po më priste rezultati.
E keni parasysh atë ndjesinë e frikës që të ka pushtuar trupin, por vazhdon të qëndrosh e qetë. Atë po e përjetoja në atë moment.
Arritëm në klinikë ku m’u komunikua lajmi që s’do të doja ta dëgjoja. Ndoshta reflekton e çuditshme, por mua çerpiku nuk m’u drodh. As edhe një pikë loti. As edhe një reagim më të vogël nuk e bëra. Por, diçka brenda meje brohoriste me gjithë fuqinë.
“Çka duhet të bëjmë tani?” – e pyeta doktorin që sapo më dha lajmin që mami është diagnostikuar me Carcinom në gji.
Më shikonte i habitur. Pse nuk po reagoja. Pse nuk qaja. Pse nuk po shpreh asnjë lloj emocioni. Pse dukesha aq e qetë… ato momente nuk e kam menduar këtë pjesë, por sot që janë bërë pothuajse tri vite, e kuptoj çka ka menduar vetëm nga shikimi që më bënte derisa qëndroja përballë tij në recepsionin e spitalit.
Aty filloi sfida më e rëndë në jetë, bashkë me të edhe forca më e madhe.
Konsulta, takime, kontrolle të shumta, ndërhyrje operative, terapi, pritje të gjata të rezultateve. Gjithçka që shihja për muaj të tërë kanë qenë korridoret e mëdha e të mbingarkuara të spitaleve që u kthyen në pikë shprese për mua dhe familjen time. Korridoret e heshtura por që përmbanin shumë dhimbje derisa përqafoheshim fortë me njëri tjetrin.
Për gjithë ata muaj, nuk mbaj mend kur kam fjetë dhe kur jam zgjuar- ndonjëherë mendoj sikur as edhe një moment s’kam pushu as fizikisht e as psikikisht. Nuk mbaj mend kur kam ngrënë apo kur kam pirë kafe. Gjithçka që kam në memorie janë konsultat dhe rezultatet që i prisja çdo moment.
Gjithçka brenda dhe rreth meje më dukej ndryshe. Temperaturat e larta të muajit gusht nuk i ndjeja. S’kisha as uri, as etje. Kisha humbur brenda botës që më dukej që s’kishte asnjë kuptim më.
Personi më i rëndësishëm në jetën time, po kalonte një sëmundje aq të rëndë dhe më dukej që unë nuk po bëj asgjë. Doja ta merrja nga trupi i saj ta vendosi në trupin tim vetëm të mos i kalojë terapitë e gjërat që i kalojnë pacientët me këtë diagnozë, e që gjatë këtyre viteve sa kam shkruar për shëndetësi, kam dëgjuar me dhjetëra histori të tilla dhe më dukej sikur do e ndieja të njëjtën dhimbje edhe unë bashkë me të dhe me dhjetëra pacientë që i shihja gjatë orëve të gjata të kimioterapisë. Që në atë kohë ishte shtëpia ime e dytë. Gjatë orëve të gjata të terapisë e kam kuptuar që Onkologjia nuk është thjeshtë klinikë, është vend ku i ndjemë afër edhe njerëzit që po i sheh për herë të parë, pacientët aty flasin pak por dukja e tyre tregon shumë. Është histori. Është dhimbje. Është shpresë për jetë e shërim. Personeli shëndetësor është aty çdo moment, derisa edhe pacienti i fundit të përfundoj terapinë.
Ne e humbëm rrugën që ishim duke ecur, por prapë na drejtonte mami– energjia e saj pozitive, forca dhe shpresa e saj që për asnjë moment nuk e ka humbur.
Gjithçka shkoi mbarë dhe mirë. Për disa javë bëhen tri vite dhe pothuajse këndvështrimi jonë për jetën ka ndryshuar komplet.

Pse përjetojmë ankth?
“Kur ankthi fillon ta dominojë jetën e individit atëherë merr formën e një çrregullimi, gjë që na alarmon se diçka në jetën e individit po shkakton mjaftueshëm dhimbje që të manifestohet me ankth” – thotë psikologu, Bind Skeja, derisa sqaron disa nga shkaqet pse njerëzit përjetojnë ankth.
Ai thotë se janë disa shkaktarë të ndryshëm të cilët na bëjnë të përjetojmë ankth por që sipas tij roli i ankthit është të na rrisë vëmendjen ndaj rrethanave të ndryshme dhe të na mbajë të sigurt, “andaj në doza të vogla edhe mund të jetë i dobishëm”.
“Ankthi është pjesë e zakonshme e të qenit njeri, sidomos në kohërat që po jetojmë. Në këtë interpretim, ankthi jo vetëm se nuk mund të zhduket, por as nuk do duhej të zhdukej. Në vend të kësaj, është e rëndësishme që të kanalizojmë energjinë që vjen nga ankthi drejt zgjidhjes së problemeve që e shkaktojnë, qofshin ato personale, sociale apo sistemike. Në këtë mënyrë edhe bëhet më i menaxhueshëm”, thekson tutje.
Psikologu sqaron se kur ankthi fillon të marrë formën e një çrregullimi shëndetësor dhe personi fillon të shqetësohet për ankthin të cilin e përjeton atëherë e paraqet nevojën të kërkojë ndihmë nga profesionistët.
“Ankthi klinik është kur ankthi merr formën e një çrregullimi dhe fillon të marrë një copë të madhe të jetës së individit dhe të ndikojë në rrethana të tyre. Megjithatë, mënyra se si bëhet kjo ndarje nuk është e prerë dhe nuk pajtohem me klasifikimin e zakonshëm siç e bën psikiatria tradicionale, e cila e sheh një person me çrregullim vetëm atëherë kur ai apo ajo nuk mund të funksionojë mjaftueshëm në shoqëri. Konsideroj se nëse dikush fillon të shqetësohet për ankthin që po e përjeton, kjo paraqet një brengë të mjaftueshme që të filloj të kërkon ndihmë”, nënvizon ai.
Në mënyrë që të trajtohet ankthi fillimisht duhet të njihen shkaktarët e tij dhe të adresohen, sqaron mes tjerash psikologu.
“Për një adresim më të thellë të ankthit, duhet të njihen shkaktarët e tij dhe të adresohen, mirëpo kjo edhe mund të jetë përtej kapaciteteve të individit apo komunitetit ku jeton. Sidoqoftë, çdo situatë është unike dhe një teknikë që punon për një individ mund të mos punojë për tjetrin, andaj rekomandimi është që të punohet së bashku me një profesionist”, tregon Skeja.
Por, çka duhet të bëjmë në momentin kur simptomat e ankthit fillojnë të kaplojnë mendjen dhe trupin?
Skeja thotë se duhen të praktikohet frymëmarrja e shpeshtë derisa filloni të qetësoheni.
“Ka teknika të ndryshme për menaxhimin e sulmeve të ankthit. Një që e preferoj unë është “boxed breathing” – Merr frymë 4 sekonda, e mban frymën 4 sekonda, e lëshon frymën 4 sekonda, mban frymën 4 sekonda dhe e përsërit procesin deri kur fillon të qetësohesh. Rekomandohet që të bisedohet me një profesionist që të gjinden teknikat më të përshtatshme për individin dhe të punohet në drejtim holistik në vend të vetëm adresimit të sulmeve të ankthit”, tregon ai.
Termin ankth e dëgjojmë shumë shpesh, veçanërisht nga të rinjtë, por në thellësi flitet shumë pak për të. Skeja rekomandon se në shoqërinë tonë duhet të flitet për ankthin në tërësi dhe vendos qendrën e vëmendjes tek këta persona.
“Sot, më shumë se kurrë jemi të njohur me termin e ankthit, mirëpo kjo reflekton publikisht në nivele shumë të cekëta. Rekomandimi im është që të flasim për ankthin në tërësi, mbi çka ndjejmë, çka e shkakton dhe çka kanë nevojë që të jetojnë një jetë të dinjitetshme. Kjo jo vetëm se krijon solidaritet, duke i pa përvojat e personave tjerë në shoqëri, por edhe i dërgon drejt në qendër të vëmendjes nevojat e një pjese të popullatës që është vazhdimisht e neglizhuar”, rekomandon Skeja.
“Ky artikull / kjo storie është prodhuar në kuadër të aktivitetit “Media nxit diskutimin për angazhimin e pacientëve”, një partneritet ndërmjet Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe projektit Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS), i cili është një nismë e përbashkët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë. Përmbajtja e këtij artikulli/kësaj storieje nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e IHS-së apo AGK-së”.




