Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe kandidatja për kryeministre e LDK-së Vjosa Osmani janë takuar sot për të biseduar arritjen e një marrëveshje për koalicion pas zgjedhjeve të 6 tetorit.
Osmani ka deklaruar se janë të gatshëm të qeverisin bashkë, por për një marrëveshje finale do të presin certifikimin e rezultatit nga KQZ. “Ne sapo zhvilluam takimin për diskutuar bashkëpunimin pas një procesi të mirë. Kemi diskutuar në nivel të parimeve. Të dy partitë treguan vullnetin e mirë për të qeverisur bashkë. Ka disa gjëra me të cilat filluam diskutimeve, sa i përket një qeverie që do të reduktohet sa i përket numrit të ministrive, por do të rritet sa i përket punës së mirë që do të bëhet. Iu mbetet partive të diskutohet për detajet. Po presim edhe numërimin e të gjitha votave, para se ta arrijmë marrëveshjen finale. Ka vullnet të mirë në të dy partitë”, ka thënë Osmani.
Në anën tjetër Albin Kurti deklaroi se Qeveria e tij do të ketë transparencë. Ai thotë se nuk do të bëjnë pazare politike. Sipas Kurtit, ato janë bërë në Qeverinë PAN. “Pazare politike keni parë me PAN-in. Transparencë do të ketë qeveria e re”, sqaron Kurti. Ai ka shtuar se qeveria e tij do të ketë maksimalisht 12 ministri. Tutje ai tha se nuk do të vrapojnë pas Listës Serbe për t’i kërkuar koalicion.
“Natyrisht që Kosova ka humbur shumë kohë, dhe pritjet e qytetarëve janë shumë të larta. Dhe pa humbur kohë në filluam bisedimet duke u nisur me idenë e përbashkët për qeveri sa më efikase dhe shtet sa më të fuqishëm. Ne duam që ti dalim zot nevojave të qytetarëve dhe ta orientojmë shtetin nga zhvillimi e demokracia”, ka deklaruar Kurti.
“U dakorduam që të kemi një qeveri prej 30 për qind të përfaqësimit gjinor mimalisht do të jenë 30 për qind gra edhe në mesin e ministrave dhe zv ministrave. Do të kemi shumë më pak ministri e shumë më pak zëvendësministra”, thotë Kurti.
“Ekipet tona do të takohen për të harmonizuar programet e projektet tona. Ne kemi diskutuar se si do t’i zvogëlojmë bashkojmë përgjegjësitë në kabinetin qeveritar. Porsa ta kemi rezultatin konkret ne do t’ju njoftojmë për emrat e përveçëm në qeverinë e ardhshme. /Gazeta Shneta/