Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë i pranishëm në një vizitë tek drejtori i ri i ShSKUK-ës, Elvir Azizi.
Sipas një njoftimi të dhënë nga ministria e Shëndetësisë, Kryeministri Kurti së bashku me ministrin Arben Vitia gjatë ditës së sotme ishin në takim me drejtorin e ri të ShSKUK-ës, Elvir Azizi, ku u diskutua rreth gjendjes aktuale në shëndetësi, transmeton Gazeta Shneta.
Kurti ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë në përkrahje të plotë të përmbushjes së objektivave në të ardhmen.
Në anën tjetër, ministri Vitia ka njoftuar nga afër Kryeministrin Kurti për projektet si ndërtimet dhe renovimet e disa klinikave brenda QKUK-ës dhe investimet në spitalet e përgjithshme rajonale.
Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, ka paraqitur një analizë të përgjithshme të gjendjes infrastrukturore, resurseve humane dhe pajisjeve mjekësore në klinikat QKUK-së dhe në spitalet e përgjithshme përpara Kryeministrit Kurti.
“Njëkohësisht, në këtë takim u diskutua edhe për rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar me ekspertë të jashtëm, sidomos në degët deficitare me qëllim të përfitimit nga përvoja e shteteve me sistem të avancuar shëndetësor. Temë e posaçme ishte edhe ngritja e trupave profesionale, konsiliumet mjekësore në klinika, ndërsa kryeministri Kurti u njoftua edhe për ngritjen e mekanizmave monitorues me qëllim të mbarëvajtjes së proceseve dhe respektimit të orarit të punës”, theksohet ndër të tjera në njoftimin e dhënë.
Njoftimi i plotë:
Kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia u takuan me drejtorin e ShSKUK-së, Elvir Azizi
Prishtinë, 20 shtator 2023
Sot, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti dhe Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia u takuan me drejtorin e Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK), z. Elvir Azizi dhe drejtorin e Shërbimeve të Përbashkëta Teknike dhe Administrative, z. Mentor Zejnullahu.
Kryeministri Albin Kurti tha se gjatë kësaj periudhe janë evidente rezultatet dhe kontributi i shtuar, ndërsa shprehi gatishmërinë e Qeverisë në përkrahje të plotë me qëllim të përmbushjes së objektivave në të ardhmen.
Në këtë takim, Ministri Vitia e njoftoi Kryeministrin Kurti për punën në drejtim të përmirësimeve të shërbimeve shëndetësore për qytetarët, projektet e reja të cilat planifikohen të realizohen, sa i përket ndërtimit dhe renovimit të disa klinikave brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) si dhe investimet në spitalet e përgjithshme regjionale me qëllim të rritjes së përformancës.
Gjithashtu, Kryeministrin Kurti u njoftua edhe për hartimin e statutin e ri të ShSKUK-së dhe QKUK-së që do të avancojë edhe më tej shërbimet shëndetësore.
Drejtori i ShSKUK-së, z. Elvir Azizi e njoftoi për ecurinë e realizimit të planit të Qeverisës në fushën e shëndetësisë dhe për transformimin infrastrukturor të disa klinikave që do të rrisin gamën e shërbimeve dhe do të përmirësojnë kushtet për qytetarët. Ai paraqiti një analizë të përgjithshme të gjendjes infrastrukturore, resurseve humane dhe pajisjeve mjekësore në klinikat QKUK-së dhe në spitalet e përgjithshme.
Njëkohësisht, në këtë takim u diskutua edhe për rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar me ekspertë të jashtëm, sidomos në degët deficitare me qëllim të përfitimit nga përvoja e shteteve me sistem të avancuar shëndetësor. Temë e posaçme ishte edhe ngritja e trupave profesionale, konsiliumet mjekësore në klinika, ndërsa kryeministri Kurti u njoftua edhe për ngritjen e mekanizmave monitorues me qëllim të mbarëvajtjes së proceseve dhe respektimit të orarit të punës.




