Kryeministri Albin Kurti ka pritur në një takim ud. drejtoreshën e re të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Pranvera Zejnullahu-Raçi, vetëm pak ditë pasi mori detyrën.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit bëhet e ditur se Kurti e ka uruar Zejnullahu-Raçin për marrjen e detyrës, si dhe i ka shprehur përkrahjen e Qeverisë për realizimin e objektivave të saj, transmeton Gazeta Shneta.
Më poshtë njoftimi i plotë:
Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, priti në takim u.d. drejtoreshën e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Dr.Pranvera Zejnullahu Raçi dhe e uroi për marrjen e detyrës së re.
Në takim u diskutuan sfidat aktuale në ShSKUK dhe strategjitë e reformimit të sistemit të kujdesit shëndetësor dytësor dhe tretësor.
Znj.Zejnullahu Raçi prezantoi planet afatshkurtra dhe imediate për përmirësimin dhe avancimin e shërbimeve shëndetësore për pacientët, si dhe krijimin e mjedisit të përshtatshëm për punonjësit shëndetësorë.
Kryeministri Kurti ofroi përkrahjen e Qeverisë për realizimin e objektivave për kujdes sa më të mirë shëndetësor, për ruajtjen dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.