Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka uruar fillimin e vitit të ri shkollor 2025/2026, duke theksuar rëndësinë e ditës së parë të klasës së parë për çdo fëmijë dhe prind.
Këtë vit, sipas tij, në nivel vendi janë afër 25 mijë fëmijë që nisin mësimet në klasën e parë, duke u njohur me mësuesit dhe shokët e rinj të gjeneratës.
Kurti, së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, vizituan shkollën “Hasan Prishtina” në Prishtinë, ku u uruan fillim të mbarë nxënësve të klasës I/1 me mësuese Drita Bashotën.
Ai i inkurajoi mësimdhënësit që të jenë sa më afër fëmijëve, duke theksuar se “dashuria e mësuesit dhe mësueses në moshat e hershme është jo më pak e vlefshme sesa ajo e prindërve”.
Postimi i plotë:
Dita e parë e klasës së parë është një ditë e veçantë për çdo fëmijë dhe çdo prind. Këtë vit shkollor, në nivel vendi janë afër 25 mijë fëmijë që nisin mësimet në klasën e parë, që takojnë mësueset e mësuesit e tyre dhe që fillojnë miqësitë e para me shokët e shoqet e klasës dhe gjeneratës.
Bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, vizituam nxënësit e klasës I/1 të shkollës “Hasan Prishtina” në Prishtinë, me mësuese Drita Bashota, dhe i uruam përzemërsisht fillim të mbarë e rrugëtim të suksesshëm përgjatë gjithë shkollimit.
I inkurajoj të gjithë mësimdhënësit që të jenë sa më afër fëmijëve dhe nxënësve, sepse në moshat e hershme dashuria e mësuesit dhe mësueses është jo më pak e vlefshme sesa ajo e prindërve. Dashamirësia që tregojmë për të tjerët dhe për ta bëhet faktor shumë i rëndësishëm për zhvillimin dhe edukimin e tyre.
Urime fillimi i vitit të ri shkollor 2025/2026!




