Në Zyrën e ud.drejtoreshës së SHSKUK-së po vazhdon të mbetet i angazhuar stomatologu dhe biznesmeni Ekrem Çitaku, për të cilin kjo zyrë nuk ka dhënë asnjë sqarim.
Ekrem Çitaku, stomatolog me profesion, po vazhdon të mbetet i angazhuar në zyrën e drejtoreshës së SHSKUK-së Pranvera Zejnullahu-Raçi, shkruan Gazeta Shneta.
Çitaku siç ka mësuar Gazeta, ishte angazhuar në këtë zyrë në kohën kur SHSKUK udhëhiqej nga ish-drejtori Valbon Krasniqi. Në një komunikim zyrtar të cilin e ka parë Gazeta, administrata e SHSKUK-së Çitakut i referohen si “i angazhuar për ndihmë profesionale në fushën për dixhitalizim, transparencë dhe bashkëpunim në Zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK”.
E ndonëse është i angazhuar për transparencë, në rastin e tij vetëm transparencë nuk mund të thuhet. Kjo për faktin se as Zyra e ud. drejtoreshës Zejnullahu-Raçi dhe as vet Çitaku, nuk kanë dhënë sqarime në lidhje me rolin e tij.
Zyra e ud. drejtoreshës nuk ka kthyer përgjigje fare në pyetjet e Gazetës, derisa Çitaku në përgjigjen e tij ka adresuar disa çështje që nuk kanë të bëjnë fare me pyetjet e redaksisë.
Në shkrimin e tij të gjatë me disa leksione mbi gazetarinë, pasi vet Çitaku është pronar i një mediumi, ai nuk përgjigjet në pyetjet e Gazetës por në disa raste ai përmend softuerët SMSF dhe SISH. Sipas Çitakut ai po kërcënohet me largim nga detyra sepse dikujt po i pengon funksionalizimi i këtyre dy sistemeve.
“A ka lidhje kjo me luftën kundër korrupsionit, nepotizmin, manipulimet me konkurset në SHSKUK dhe QKSUK, funksionalizimin e SMSF-se në SHSKUK dhe së shpejti funksionalizimin edhe të SISH-it në SHSKUK?”, thuhet ndër të tjera në shkrimin e tij të adresuar në redaksinë e Gazetës.
Ndërkaq Çitaku nuk ka dhënë sqarime as në pyetjet shtesë nëse i njëjti është i angazhuar nga ud.drejtoresha e SHSKUK-së në çështjet e SMFS-së dhe SISH-it.
Ndryshe emri i Çitakut figuron si aksionar në një biznes që merret me ndërtimin e banesave si dhe me aktivitete mjekësore. Kompania “Green Emerald Building SHPK” aktivitet primar e ka blerjen dhe shitjen e patundshmërisë, aktivitet sekondar zhvillimin e projekteve të ndërtimit, ndërsa në kolonat e aktiviteteve tjera kjo kompani merret edhe me tregti të artikujve farmaceutikë, aktivitete të spitaleve dhe mjekësisë së përgjithshme. /Gazeta Shneta/