Një mjet i ri gjenetik ka gjasa të jetë premtues të përmirësojë vlerësimin e rrezikut për sëmundjet kardiovaskulare, duke analizuar predispozitën e trashëguar për tetë gjendje të ndryshme në një test të vetëm. Ky zhvillim vjen në një kohë kur sëmundjet e zemrës mbeten shkaku kryesor i vdekjeve në botë.
Sipas burimit Medical News Today, metodat tradicionale të vlerësimit bazohen në faktorë si mosha, tensioni i gjakut, kolesteroli dhe stili i jetesës, por ato nuk kapin gjithmonë rrezikun gjenetik.
Disa individë mund të kenë predispozitë të lartë për sëmundje, edhe nëse ndjekin një mënyrë jetese të shëndetshme dhe nuk shfaqin simptoma të hershme.
Mjeti i ri përdor një “rezultat poligjenik rreziku”, i cili kombinon informacion nga shumë variante gjenetike për të dhënë një vlerësim më të plotë, transmeton Gazeta Shneta.
Ai mund të parashikojë rrezikun për sëmundje si sëmundja koronare e zemrës, fibrilacioni atrial, diabeti i tipit 2, tromboembolia venoze, aneurizma e aortës, hipertensioni i rëndë, kolesteroli i lartë dhe nivelet e rritura të lipoproteinës(a).
Studimet treguan se individët me rrezik më të lartë gjenetik kishin shumë më tepër gjasa të zhvillonin këto sëmundje. Për shembull, rreziku për sëmundje koronare ishte deri në 3.7 herë më i lartë krahasuar me personat me rrezik mesatar.
Megjithëse ky test është premtues për zbulim dhe parandalim të hershëm, ai ende nuk përdoret gjerësisht në praktikën klinike. Nevojiten studime të mëtejshme për të siguruar saktësinë dhe zbatueshmërinë e tij në popullata të ndryshme. /Gazeta Shneta/


