Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi së bashku me drejtorin e SHSKUK-së Valbon Krasniqi kanë vizituar sot disa nga klinikat e QKUK-së, ndër to edhe shërbimin e Kardiologjisë Invazive.
Ministri Rifat Latifi i shoqëruar nga Sekretari i MSH-së Naim Bardiqi, dhe drejtori i SHSKUK-së Valbon Krasniqi, kanë vizituar sot disa nga klinikat e QKUK-së, shkruan Gazeta Shneta.
Fillimisht ata kanë vizituar Klinikën Infektive ku janë njoftuar me gjendjen e pacientëve të sëmurë me Covid si dhe kapacitetet e klinikës për trajtimin e këtyre pacientëve.
Më pas vizita ka vazhduar në Klinikën Emergjente. Sipas njoftimit të MSH-së, vizita ka vazhduar në Klinikën e Kardiologjisë, “me theks në njësinë e kardiologjisë invazive”, thuhet në njoftim.
Ministri Latifi vizitoi edhe Klinikën e Pulmologjisë ku aktualisht janë duke u trajtuar disa pacientë post covid-19 dhe është informuar për punën që është bërë aty gjatë pandemisë, por edhe për trajtimin e patologjive të tjera, përveç COVID-19.
“Ministri Latifi ka kërkuar që klinikat e QKUK-së dhe institucionet e tjera shëndetësore të jenë të gatshmër për t’u ballafaqur me çfarëdo zhvillimi të situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19, ndërsa profesionistëve shëndetësor u kërkoi që të vaksinohen plotësisht, përfshirë edhe marrjen e dozës përforcuese të vaksinës kundër COVID-19”, thuhet në njoftimin e MSH-së. /Gazeta Shneta/