Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka thënë se çështja më e rëndësishme në shëndetësinë kosovare ka qenë programi legjislativ i cili u miratua me 26 janar të këtij viti.
Duke folur për udhëzimet që janë nxjerrë nga dikasteri që ai e udhëheq, Latifi ka thënë se synojnë kthimin e trurit të mjekëve në Kosovë.
Duke raportuar në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ministri Latifi tha se synojnë procesin e akreditimeve të programeve siç është ai i programeve të specializimeve, programeve publike dhe private, akreditimi i qendrave të ekselencës, kancerit të gjirit, onkologjisë e disa të tjera.
“Disa prej këtyre duhet ndryshime e plotësime. Kemi edhe 16 udhëzime e rregullore që do ta ndihmojnë shumë shëndetësinë e Kosovës. Shpesh keni dëgjuar për 7 shtyllat. Programi legjislativ, masat ligjore, kthimi i ekspertëve por edhe ruajtja e ekspertëve që i kemi brenda. Duhet të jemi kreativ me format që t’ua lehtësojmë kthimin. Shtylla e tretë është Qendra Klinike të Ekselencës dhe Shërbime të avancuara. Shtylla e katër janë kërkimet shkencore dhe krijimi i kapaciteteve hulumtuese në vendin tonë. Në fushën e mjekësisë jemi gati në fund të listës. Vitin 2019 kemi qenë në fund ndërsa në vitin 2020 nuk jemi në listë fare. E jashtëzakonshme është shpërndarja e hulumtuesve dhe shkencëtarëve”, tha Latifi.