Nëna e re Arberesha Zogjani ka falënderuar mjekët e QKUK-së, pasi solli fëmijën në muajin e shtatë në Gjinekologji. Me një shkrim emocionues, ajo ka falënderuar neonatologët që u kujdesën për foshnjën e saj e cila lindi me vetëm 1200 gram peshë
Ajo planifikonte që ta kryente lindjen në një spital privat, por ardhja e bebes para kohe ia ndryshoi planet. Arbëresha Zogjani u detyrua të shkonte në Gjinekologjinë e QKUK-së. Hyri me shumë frikë, por do të dilte e gëzuar dhe shumë mirënjohëse, shkruan Gazeta Shneta.
Nëna Arbëreshë ka rrëfyer përvojën e saj në Qendrën Klinike Universitare me një shkrim fort emocionues. Ajo solli në jetë foshnjën në muajin e shtatë me peshë vetëm 1.2 kg, e cila tani pasi ka mbushur 58 ditë jetë është në gjendje të mirë shëndetësore dhe qëndron në shtëpi.
Ajo tregon se si mjekët neonatologë janë kujdesur për foshnjën e saj, se si motrat ia kanë ushqyer beben gjatë natës derisa ajo ka pushuar. Nëna thotë se stafi gjithmonë e ka pritur me buzëqeshje, ndërsa punën e kanë kryer me përpikmëri, ndonëse me kushte jo të mira.
“Kati i katërt i Gjinekologjisë u bë shtëpia e parë e bebit tim, aty ku ne të dy së bashku pritëm edhe natën e ndërrimit të moteve, të rrethuar me kujdesin dhe dashurinë e stafit të neonatologjisë”.
Ajo ka falënderuar drejtorin Dr. Xhevdet Gojnovci, mjekët Dr. Melihate Çekaj e Dr. Shpetim Salihu, infermieret Flora Greiçevci, etj.
Lexoni shkrimin e plotë të saj:
Një QKUK ndryshe!
Kalova me sukses tre muajt e parë të shtatzënisë, me shpresë që rreziku kaloi përderisa shijoja çdo ditë e më shumë lëvizjet e të voglit tim, duke përcjell gjendjen e tij (deri në muajin e shtatë) nga afër tek Dr. Göksu Göç – të cilin e falënderoj jashtë mase për tërë kujdesin!
Sot, kur bebi im do të duhej të kishte vetëm 12 ditë jete, ai mbush plot 58 ditë jete. Ai lindi kur unë mendoja se ende kisha kohë të bëhesha nënë.
Mbrëmja e 15 dhjetor 2018 më gjeti në pasigurinë e frikën më të madhe. Spitali privat ku unë kisha planifikuar të sillja në jetë bebin tim, më udhëzoi t’i drejtohem QKUK-së meqë për një lindje po aq të parakohshme vështirë të ofrohet siguri aty. Teksa dëgjoja fjalët e mjekëve të thoshin se nuk pëlqenin çfarë shihnin në rezultatet e kontrolleve dhe se bebi rrezikohet çdo sekondë e më shumë, bota mu shemb!
Nuk kisha asnjë përvojë në spitalin publik, por kisha një perceptim shumë më ndryshe nga ai që kam sot. Kisha lexuar e dëgjuar vetëm “për keqtrajtime e kushte të këqija”, rrjedhimisht, edhe frika ime u dyfishua duke menduar se nuk do të gjeja shpëtim për bebin. E shtrirë në spitalin privat, e frikësuar deri në palcë për fatin e foshnjës, përfundova me shpejtësi infuzionin që kishte filluar të rridhte në venat tona, ktheva në trup rrobat dhe me urgjencë iu drejtova Gjinekologjisë – QKUK.
Brenda pak minutash, ekipi i mjekëve u bë gati dhe unë gjeta vetën në sallën e operacionit, meqë për lindje normale as që bëhej fjalë.
Lindja ndodhte e ende nuk dija për botën e bebit, që sillja në jetë! Në orën 01:00 (pas mesnate), kur veçse kalendari kishte arrit datën 16 dhjetor 2018, dëgjova zërin e ulët të bebit tek qante dhe bota u bë prap e imja! Për çudi, siç e do zakoni, bebin nuk e pash, meqë mjekët vrapuan t’i ofronin atij siguri në Njësinë Intensive Numër 1. Duke mos pasur ide çka më pas, dola nga salla e operacionit, e lumtur, e duke u ndjerë fitimtarja më e madhe e natës!
Natën e kalova e lumtur nën kujdesin intensiv duke menduar se bebi im është mirë dhe i gatshëm të na bashkohej në shtëpi, sapo unë të lirohesha nga përkujdesi mjekësor. Ende, as në atë natë, nuk mund të ma merrte mendja çfarë gjendej në katin e katërt të asaj ndërtese.
Në pasdite, me karrocë iu afrova një bote që nuk e njihja fare, botën e fëmijëve të lindur para kohe. Dera e një korridori të gjatë u hap, ku vështirë se dëgjoje diçka tjetër përveç zhurmave të aparateve që mbanin në jetë shumë foshnje, shumica, të parakohshme, ashtu siç ishte edhe bebi im. Pa frymë u afrova tek inkubatori ku si një engjëll flinte e me zemër luani luftonte për jetë bebi im, të cilit ende nuk i kishim vënë emër (sigurisht, duke menduar se ende kemi kohë për të vendosur).
E humbur në tingujt e aparateve të shumtë e të ndryshëm që të ngjallnin frikë në palcë, shikoja tim bir që peshonte vetëm 1200 gram. Ende nuk kisha dëgjuar për termin ‘bebe prematur’, ende nuk kisha perceptuar mirë vendin ku isha, e aq më pak gjendjen e tim biri, dhe si në mjegull u ktheva prapë në dhomë.
Mblodha forcat e duke iu lutur Zotit u nisa sërish për në Njësinë Intensive duke u mbajtur nga dora e ngrohtë e Motrës Flora Greiçevci të nesërmen në mëngjes. Takova Doktoreshën që veçse kishte filluar të punonte me bebin tim, Dr. Melihate Çekaj. Për plot shtatë javë sa qëndruam në spital, ajo së bashku me Dr. Shpetim Salihu jo vetëm që punuan pa ndalur me bebin e vogël – aq të vogël sa s’kisha parë asnjëherë, por punuan edhe me ne të dy – prindërit. Me përkushtimin njerëzor e dhembshurinë e ngrohtësinë e prindit, ata të dy, jo vetëm që na mbanin të informuar mbi gjendjen e të voglit tonë, por edhe ne të dyve na mbanë të motivuar e na fuqizuan edhe më shumë besimin.
Stafi mbështetës ishte përherë aty, duke më pritur me buzëqeshje herë çdo dy e herë çdo tri orë kur unë shkoja të ushqeja bebin e vogël. Jo vetëm që bebet nuk ishin asnjë minutë vetëm, por motrat (të cilat nuk pushonin kurrë ditë as natë-gjatë kohës së punës) më udhëzonin që gjatë natës të pushoja, përderisa ato merrnin përsipër edhe të ushqenin bebin, vetëm e vetëm që unë të isha në gjendje të mirë shëndetësore.
Jo vetëm mjekët e motrat por edhe zonjat që pastronin repartin nuk kalonin pa na uruar shëndet për bebin.
Kati i katërt i Gjinekologjisë u bë shtëpia e parë e bebit tim, aty ku ne të dy së bashku pritëm edhe natën e ndërrimit të moteve, të rrethuar me kujdesin dhe dashurinë e stafit të neonatologjisë.
Vërtetë kushte të mira (teknike) nuk kishte, vërtetë që ishim hiq më pak se tetë nëna në një dhomë të vetme, e secila me nga një, dy e ndonjëherë edhe tre fëmijë, vërtetë që bebet i ngrohëm me lesh deleje, por më se e vërtetë se profesionalizëm e përcaktim njerëzor për punën që bënin, s’kisha parë më herët e as kisha besuar se ka! Thënë shkurt: Mjek e infermiere që punojnë pa u ndal, profesionist që u rrjedhin djersët çurkë nga puna e pa ndashme dhe shumë dinamike, dhe siç kisha dëgjuar gjyshërit tanë thoshin “punonin me saktësinë e orës zvicerane”! Një mjedis pune ku “një familje” e madhe e përbërë prej nënave lehona dhe fëmijëve të lindur para kohe merrnin kujdesin e duhur profesional e butësinë njerëzore dhe pa asnjë dallim shoqëror, sikur të ishin njerëzit e gjakut të personelit mjekësor, pavarësisht se pacientet ishin të shtresave të ndryshme shoqërore, përkatësive të ndryshme fetare e etnike!
Unë u ktheva në shtëpi me një fëmijë të shëndoshë, e fal udhëzimeve e mentorimeve të palodhshme të stafit të Neonatologjisë, u ktheva me njohuri edhe e siguri t’i ofroja atij kujdes sikurse të ishte ky fëmija im i tretë.
Pas këtij përjetimi, QKUK-ja, Gjinekologjia e Neonatologjia do të mbajnë për jetë një vend të veçantë në zemrat e familjes tonë të vogël.
Falenderoj pafund tërë stafin e neonatologjisë dhe gjinekologjisë që punuan me ne pandalur ditë e natë! Pa profesionalizmin dhe kujdesin e tyre, sigurisht, tani do të isha në gjendjen tjetër e jo me një dorë në shpinën e bebit tim dhe me një mbi tastaturë duke shprehur këtë falenderim!
Falemnderit Drejtorit Xhevdet Gojnovci, Vali MakolliLeonora Kastrati Ademaj, Merita Gashi, Lume Vujanova, dhe tërë personeli që për momentin e kam të pamundur t’i numëroj!
Falenderime të pafunda nga Rrapi, unë dhe Drin Kajtazi