Lindja e parë pozitive me Covid në Kosovë, nëna shtatzënë sjellë në jetë fëmijën e shëndoshë

2020-06-20 në ora 09:53

Një nënë shtatzënë e konfirmuar pozitive me Covid-19, është bërë gruaja e parë në Kosovë që ka lindur fëmijën duke qenë e infektuar. Në Kosovë edhe më herët ka pasur gra shtatzëna me Covid, por deri në lindje ato ishin shëruar nga infeksioni

Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK Dr. Jakup Ismajli. Ai ka treguar se gruaja është nga Prizrenit dhe është në gjendje të mirë, shkruan Gazeta Shneta.

“Gruaja ka ardhur nga Prizreni mbrëmë e konfirmuar pozitive me Covid. Ajo është pranuar në repartin e izoluar dhe brenda një ore është futur në sallë për të kryer lindjen me operacion cezarian. Nëna nuk ka simptoma të rënda dhe do të vazhdojë të trajtohet në Gjinekologji”, ka deklaruar Ismajli.

Ai ka treguar se lindja është kryer në javën e 33-të, ndërsa foshnja është transferuar në Klinikën e Neonatologjisë ku edhe i është marr mostra për ta testuar për Covid-19.

Ismajli ka bërë të ditur poashtu se edhe një grua tjetër shtatzënë në javën e 35-të është konfirmuar pozitive me Covid dhe e njëjta po trajtohet në Klinikën Infektive. /Gazeta Shneta/