Në lokale, shkolla, në familje e shoqëri pothuasje të gjithë flasim për shëndetin mendor e probleme të ngjashme me të cilat ballafaqohemi personalisht apo kemi persona të afërt të cilët janë duke kaluar faza të vështira sa i përketë problemeve shëndetësore psikologjike.
Problemet shëndetësore, sipas psikologëve, psikiatërve dhe ekspertëve të tjerë të shëndetit mental janë probleme të ngjashme sikurse çdo sëmundje tjetër në botë për të cilat duhet trajnim e konsulta me persona kompetent.
Muaji shtator është muaji për Ndërgjegjësimin dhe Parandalimin e Vetëvrasjeve.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës gjatë këtij viti 17 persona kanë bërë vetëvrasje, gjatë vitit të kaluar 44 persona ndërsa 40 raste të tilla janë shënuar gjatë vitit 2020.
‘Linja e Jetës’ – një telefonatë larg konsultave me psikologun
Kosto për të trajtuar problemet shëndetësore mendore ndonjëherë është e papërballueshme për personat të cilët kanë nevojë për ndihmë.
Por, tash e dy vite për të gjithë qytetarët e Kosovës “Linja e Jetës” ofron konsulta psikologjike përmes telefonit – falas.
“Jemi krenarë që asnjëri prej tyre nuk ka përfundu në vetvrasje”, tregon Bind Skeja, themeluesi i linjës telefonike për parandalim të vetëvrasjeve, për Gazetën Shneta.
Në vitin 2019, kohën kur bota ballafaqohej me pandemin globale, COVID-19, e jeta e gjithsecilit prej nesh mori kahje tjetër, Skeja dhe 14 anëtarë të tjerë vendosën të sjellin në Kosovë – për herë të parë- linjën telefonike përmes së cilës do të ofroheshin konsulta psikologjike për të gjithë personat të cilët therrasin për ndihmë, dhe rrjedhimisht qëllimi i kësaj linje ishte parandalimi i vetëvrasjeve në Kosovë.
Për dy vite “Linjës së Jetës” e cila vepron në kuadër të Organizatës Joqeveritare Qendra për Informim dhe Përmirësim Social – QIPSI ka zhvilluar rreth 5 mijë telefonata.
Fillimisht kjo linj është hapur me një ekip prej 15 personave, dy prej tyre ishin psikolog – Bind Skeja dhe Uk Salihu ndërsa tani funksionon më rreth 50 anëtarë, duke planifikuar që stafi të zgjerohet.
Qytetarët të cilët kanë probleme shëndetësore psikologjike, siç janë stres, ankth e depresion mund të therrasin në Linjën e Jetës dhe të konsulojnë me psikologët.
Asnjë përkrahje nga Ministria e Shëndetësisë
“Linja e Jetës” është e vetmja linjë telefonike në Kosovë për parandalimin e vetëvrasjeve dhe ofrimin e konsultave psikologjike falas për qytetarët të cilët kanë nevojë për psikolog. Ministria e Shëndetësisë asnjëherë nuk i ka përkrahur madje nuk ka qenë prezentë as në takimin e organizuar tre ditë më parë.
Për shkak të mungesës së fondeve, “Linja e Jetës” është detyruar të shkurtojë orarin e thirrjeve, nga ora 10:00 sa ka qenë orari tashmë orari është shkurtuar për katër orë, qytetarët mund të kontaktojnë nga ora 14:00 deri në orën 2:00 të mëngjesit.
Themeluesi i kësaj linje, Bind Skeja, thotë se në diskutim me Ministrin e Shëndetësisë është që nga vitit 2016, në kohën kur kjo ministri udhëhiqej nga Uran Ismajli. Për gjatë vite, sa është në diskutim me ministrin ai thotë se asnjëherë nuk ka pranuar asnjë ndihmë “çdo herë është problemi që fillon diçka e mandej bllokohet”.
“Për me qenë ‘Linja e Jetës’ e qëndrushme na duhet ndihmë nga Ministria e Shëndetësisë. Prej 2016 asnjëherë nuk kemi pas bashkëpunim me Ministrin e Shëndetësisë”, bënë të ditur psikologu ndërsa thekson se pavarësisht kërkesës për takim dhe email-ave të adresuara në Ministri të Shëndetësisë asnjëherë nuk kanë pranuar ndonjë konfirmim nga kjo ministri, nëse do t’i përkrahin apo jo.
“I kemi informu përmes emaili-t, kemi kërku takim dhe asnjëherë nuk kemi pas as po, as jo”, sqaron tutje ai.
Gazeta Shneta ka kërkuar sqarim sot gjatë ditës nga ministria pse nuk e kanë përkrahur linjën telefonike për parandalim të vetëvrasjeve dhe konsultave me psikolog, por të njejtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e këtij artikulli.
Raportimi për vetëvrasje nga mediat – shkelja e privatësisë
Me të arritë lajmi se një person ka bërë vetëvrasje shumë media në Kosovë plasojnë fotografi të viktimës, tregojnë të dhënat personale e madje tregojnë edhe mënyrën e vendin ku personi ka kryer vetëvrasje. Një gjë e tillë kundërshtohet nga Qendra për Informim dhe Përmirësim Social – QIPS dhe Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike – CSL.
Për shkak të raportimit të mediave, këto dy organizata sot gjatë ditës kanë dërguar ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, përmes së cilës kanë kërkuar që të largohen nga portalet lajmet të tilla të cilat kanë përmbajtje të dhënat personale të personave të cilët kryejnë vetëvrasje.
“QIPS ka shprehur shqetësimin për mënyrën e raportimit nga ana e portaleve në rastet e vetëvrasjes apo tentim vetëvrasjes duke publikuar të dhëna personale në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale e po ashtu edhe në kundërshtim me Kodin e Mediave të Shkruara”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike – CSL.
Sipas gjetjeve të QIPS dhe CSL nga muaji qershor dhe deri në shtator, portali – emri i të cilit nuk është bërë publik, ka publikuar 11 raste të vetëvrasjeve përmes së cilit është bërë publike edhe fotografia e personit, të dhënat personale vendbanimi i personit, lokacioni ku është kryer vetëvrasja “ndonjëherë edhe lidhja familjare me ndonjë fytyrë publike, si dhe pjesë nga letra e lamtumirës, mosha e personit dhe mënyra se si është kryer vetëvrasja”.
Publikimet e tilla janë në kundërshtim me Ligjin për Mmbrojtjen e të hënave personale
Raportimin rreth vetëvrasjeve duke treguar të dhënat e viktimës e kundërshton edhe psikologu, Skeja, i cili thekson se nuk preferohen të publikohen as inicialet gjatë raportimeve për vetëvrasjet e aq më pak mënyra dhe vendi ku është kryer vetëvrasje pasi që sipas tij një raportim i tillë ndikon negativisht tek personat të cilat janë duke kaluar faza të rënda të depresionit dhe ankthit.
“Mos të bëhen alarmante vetvrasjet ose të mos thuhet është epidemi e vetvrasjeve. Rekomandohet që të mos publikohet vendi ku është kryer vetëvrasjes dhe të mos tregohen shkaqet shembull ‘është ndarë nga i dashuri apo e dashura dhe bëri vetëvrasje’ por të jepen fakte statistikore se për çka po ndodhin vetvrasjet. Kërkon ‘një dorë më të butë’ kur shkruaj lajme të tilla në mënyrë që mos me pas kundër efekt por njëkohësisht edhe me i ndihmu personave që me kërku ndihmë”, sqaron ai.
Sipas mbi 50 hulumtimeve shkencore në mbarë botën kanë vërtetuar se disa mënyra të raportimit të lajmeve rreth vetëvrasjeve kanë rritur mundësin e kryerjes së vetëvrasjes tek personat e ndjeshëm.
Çka është stresi, depresioni dhe ankthi?
Psikologu, Bind Skeja, sqaron se personat të cilët kanë probleme me depresion për një kohë të gjatë me siguri do të kalojnë në ankth me kalimin e kohës, kështu që sipas tij është problem të identifikohet kur fillon sakt depresioni dhe kur ankthi për shkak se simptomat e tyre janë të ngjashme ndërmjet vete.
Skeja thekson se personat të cilët janë duke kaluar nëpër simptoma të stresit, depresionit apo ankthit duhet të orientohen tek psikologu.
“Depresioni është kur personi është gjatë tërë kohës me emocionet të dobëta, nuk sheh gjëra pozitive dhe është shumë vet- kritik. Stresi është kur jemi duke u përballur me situata kur na rritet tensioni, fillon zemra të na rrah më shpejtë ndërsa ankthi është kur ne kemi frik për të ardhmën”, tregon ai, ndërsa shton se këto shpjegime janë shumë gjenerale.
Psikologu sqaron se në rastet kur personi i cili është duke kaluar faza të depresionit apo ankthit dhe nuk arrinë të kryej as funksionet bazike përgjegjësia bie direkt tek familjarët të cilët duhet të kujdesen për të dhe të dërgojnë tek psikologu apo psikiatri – varësisht nga gjendja e personit.
“Në rastet kur çrregullimi kalon në atë fazë ku personi nuk mundet të kontaktoj me familjar, me shoqëri dhe nuk mundet me i kry as funksionet bazike në atë rast duhet me marrë përgjegjësi dikush tjetër – në këtë rast ndonjë familjar”, nënvizon ai.
Personat të cilët kanë nevojë për konsulta me psikolog, mund të kontaktojnë në numrat 0800 12345, papagesë – ‘Linja e Jetës’ ju ofron konsulta./Gazeta Shneta/