Pacienti 60-vjeçar i cili iu nënshtrua transplantit të mëlçisë në Qendrën Spitalore në Shkup, është liruar për në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore.
Kështu ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë Veriore në një njoftim për media, transmeton Gazeta Shneta.
Ministri Bekim Sali e ka quajtur këtë intervenim një hap historik për shëndetësinë në Maqedoni.
Kujtojmë se në ekipën e mjekëve që kryen këtë intervenim ishte edhe mjeku shqiptar Dr. Qemal Rushiti.
Lexoni njoftimin e plotë:
Pacienti 60-vjeçar me transplant të mëlçisë po shkon sot në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore. Me këtë rast, në Klinikën e Kirurgjisë Digjestive është mbajtur konferencë për media e ministrit të Shëndetësisë, dr.Bekim Sali, së bashku me ekipin që realizoi me sukses transplantin.
-Ky është një hap historik për shëndetësinë e Maqedonisë, me të cilin ne u cilësuam ndër sistemet më të mira shëndetësore që kryejnë me sukses transplantin e mëlçisë.
Urime ekipit që kreu këtë ndërhyrje kirurgjikale më komplekse. Falenderime të veçanta familjes së donatorit për humanizmin dhe solidaritetin e jashtëzakonshëm të treguar në momentet më të vështira, kur vendosën të dhuronin një jetë të re, theksoi ministri Sali.




