Kur erdhi në pozitën e ministrit, Uran Ismaili, premtoi depolitizimin e institucioneve shëndetësore, rritjen e llogaridhënies, përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe furnizimin me barna.
Por krahas Listës Esenciale të barnave, ministri i Shëndetësisë duket se ka një listë tjetër më të rëndësishme.
Uran Ismaili i cili vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, pasi përfundoi fushatën e tij për asamblist në Komunën e Prishtinës ku u zgjodh me 798 vota, tani është angazhuar për fushatat e kandidatëve tjerë të partisë së tij, shkruan Gazeta Shneta.
Ismaili ka filluar disa vizita nëpër spitale e institucione shëndetësore, por ka selektuar disa prej komunave ku PDK synon marrjen e pushtetit.
Nga pretendimi për depolitizimin e shëndetësisë, tek fushata politike e partiake nëpër spitale e QMF.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar sot se ministri ka dorëzuar një autoambulancë të re për komunën e Rahovecit. Ismaili citohet në njoftim duke i lënë merita kryetarit të komunës – bashkëpartiakut Idriz Vehapi, për kërkesën e tij për këtë autoambulancë.
“Kjo ka qenë një kërkesë e kryetarit Vehapi, i cili më tregoi se nuk kanë pasur autoambulancë të re që nga viti 2004”, ka thënë ai.
Ismaili e Vehapi së bashku ia dorëzuan çelësat e autoambulancës Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë, kur kanë mbetur vetëm edhe 3 ditë para balotazhit që do të mbahet të dielën. Vehapi do të kërkojë të rizgjidhet kryetar i kësaj komune, kundër kandidatit të AAK-së, Smajl Latifi.
Ndërsa gjatë ditës së djeshme, Ismaili ka qëndruar edhe në një komunë tjetër ku PDK-ja është në balotazh. Ai mori pjesë në përurimin e QMF-së III në Vushtrri, ku prenë shiritin së bashku me kryetarin e komunës Bajram Mulaku.
Nga atje, Ismaili premtoi kushte më të mira për mantelbardhët dhe shërbime më të mira për qytetarët.
Të dielën në balotazh PDK-ja shkon me kandidatin Ferit Idrizi, kundër Xhafer Tahirit të LDK-së.
Para zgjedhjeve të 22 tetorit, ministri kishte dorëzuar edhe një autoambulancë për këtë komunë, sikurse bëri edhe në komunën e Klinës ku PDK kryeson garën për kryetar komune.
Një tjetër komunë ku Ismaili është angazhuar që të bëjë fushatë, është ajo e Mitrovicës. Në balotazh, të dielën atje garon Valdete Idrizi kundër Agim Bahtirit të AKR-së.
Më 11 tetor Ismaili e kishte vizituar spitalin e Mitrovicës për herë të parë si ministër, por në fakt vizita ka qenë më shumë fushatë pasi bashkë me të ishte edhe kandidatja Idrizi.
Për Idrizin, ministri është angazhuar që të bëjë fushatë edhe në rrjetet sociale.
Në komunën e Ferizajt, ku PDK është në balotazh me LDK-në, ministri Ismaili së bashku me kandidatin e partisë së tij Agim Aliun, para pak ditësh kanë bërë fushatë duke premtuar ndërtimin e spitalit të qytetit, i cili tashmë veçse ka hyrë në fazën e ndërtimit.
Ismaili poashtu ka bërë fushatë në Spitalin e Gjilanit së bashku me ish-kandidatin e partisë së tij, Zenun Pajaziti. /Gazeta Shneta/