Lodhja është një nga simptomat më të zakonshme gjatë shtatzënisë, veçanërisht në tremujorin e parë dhe të tretë. Ndryshimet hormonale në fillim të shtatzënisë dhe pesha në rritje në fund të saj janë ndër arsyet kryesore pse shumë gra ndihen të rraskapitura.
Gjatë tremujorit të parë, trupi pëson ndryshime të mëdha, çka shkakton ndjenjë të fortë lodhjeje. Pas javës së 14-të, energjia zakonisht përmirësohet. Ndërsa në muajt e fundit, lodhja rikthehet për shkak të peshës së shtuar dhe vështirësive në gjumë.
Gjumi gjatë shtatzënisë shpesh ndryshon: bëhet më i lehtë, ndërpritet më shpesh dhe mund të shoqërohet me parehati, urth, lëvizje të shpeshta të bebes apo edhe ëndrra shqetësuese. Disa gra mund të përjetojnë edhe sindromën e këmbëve të shqetësuara, e cila ndikon në cilësinë e gjumit.
Megjithëse lodhja është normale, në disa raste mund të jetë shenjë e problemeve të tjera si anemia, ankthi apo çrregullimet e frymëmarrjes gjatë gjumit. Për këtë arsye, është e rëndësishme të konsultoheni me mjekun nëse lodhja është e vazhdueshme ose përkeqësohet.
Për të menaxhuar lodhjen, rekomandohet një regjim i shëndetshëm jetese. Ushqimi i balancuar, aktiviteti fizik i moderuar dhe shmangia e kafeinës mund të ndihmojnë në përmirësimin e energjisë dhe gjumit.
Gjithashtu, është e rëndësishme të pushoni sa më shumë, të flini në njërën anë (sidomos pas javës së 28-të), të përdorni jastëkë mbështetës dhe të krijoni një rutinë relaksuese para gjumit.
Nëse ndiqni këto këshilla dhe mbani kontakte të rregullta me mjekun, mund ta përballoni më lehtë lodhjen dhe të siguroni mirëqenien tuaj dhe të bebes gjatë gjithë shtatzënisë.
Ky tekst është marrë nga burimi Pregnancy Birth Baby dhe është përkthyer dhe redaktuar nga Gazeta Shneta.


