Një studim i ri sugjeron se marrja e një suplementi prebiotik me fibra për 12 javë mund të përmirësojë kujtesën dhe aftësitë mendore te të moshuarit.
Studimi i publikuar në “Nature Communications”, zbuloi se të rriturit mbi 60 vjeç që morën suplemente prebiotike me fibra performuan më mirë në testet e kujtesës dhe të të menduarit, krahasuar me ata që nuk morën suplementin, shkruan burimi Health përcjell Gazeta Shneta.
Studiuesit analizuan 72 pjesëmarrës (36 çifte binjakësh) për të parë nëse ndryshimet në mikrobiomën e zorrëve, të shkaktuara nga fibrat, ndikonin në aftësitë njohëse dhe forcën muskulore.
Njëri binjak nga çdo çift mori një nga dy suplemente prebiotike (inulinë ose fruktooligosakaride – FOS) çdo ditë për 12 javë. Teksa, binjaku tjetër mori një placebo.
Të gjithë pjesëmarrësit bënin edhe ushtrime me rezistencë dhe merrnin një suplement proteinik.
Në fund të studimit, analizat e jashtëqitjes treguan rritje të baktereve të dobishme të zorrëve, si Bifidobacterium, te ata që morën prebiotikë. Ky bakter lidhet me përmirësimin e funksionit kognitiv sipas studimeve të mëparshme.
Si ndikoi fibra në kujtesë dhe të menduarit?
Rezultatet e testit “Paired Associates Learning” (i përdorur për të vlerësuar shenjat e hershme të sëmundjes së Alzheimerit) treguan se:
– Pjesëmarrësit që morën fibra bënë gjysmën e gabimeve krahasuar me ata që morën placebo.
– Përmirësimet u vunë re kryesisht në kujtesën vizuale dhe të mësuarin e ri.
Megjithatë, rezultatet u përpunuan në një mënyrë të ndryshme nga testet standarde, tha Dr. Joel Salinas nga NYU Langone Health, duke shtuar se ende nuk është e qartë sa domethënëse janë këto gjetje për popullatën e gjerë.
Cili është lidhja mes fibrave dhe funksionit të trurit?
Ekspertët besojnë se lidhja zorrë-tru është ende duke u studiuar, por disa mekanizma të mundshëm përfshijnë:
– Fermentimi i fibrave nga bakteret e zorrëve – Prodhon përbërje që qarkullojnë në gjak dhe arrijnë trurin.
– Prodhimi i neurokimikateve – Bakteret e zorrëve mund të ndikojnë në neurotransmetuesit, duke ndikuar në rregullimin e humorit dhe funksionin njohës.
– Reduktimi i inflamacionit – Studime të tjera tregojnë se fibrat mund të ndihmojnë në uljen e inflamacionit, i cili është një faktor kryesor rreziku për rënien njohëse. /Gazeta Shneta/


