Specializantët e kategorisë me vetfinancim kanë protestuar sot para Ministrisë së Shëndetësisë, ku kanë kërkuar të kalojnë në paga të rregullta.
Njëri nga përfaqësuesit e tyre Nol Smajli ka thënë se i janë drejtuar me disa kërkesa ministrit Arben Vitia, dhe krerëve të shtetit por deri më tani nuk kanë marr përgjigje, shkruan Gazeta Shneta.
Ata kanë thënë se përveç mungesës së pagave, po përballen edhe me kushte dhe hapësira jo të mjaftueshme për punë.
“Përkundër pritjes së gjatë rreth 4 viteve pa specializim, kushteve jo të mira dhe hapësirave jo të mjaftueshme prap kemi gjetur forcën dhe dëshirën që këtë shkollim dhe kontribut ta japim për shtetin tonë dhe jo për vendet e tjera europiane ku dihet niveli dhe kushtet të cilat ofrohen”, ka deklaruar ai.
Sipas Smajlit, Kosova rrezikon të përballet me mungesë të mjekëve për shkak të rritjes së moshës mesatare dhe ikjes së mjekëve të rinj në Evropë, andaj ai ka bërë thirrje që kërkesat e tyre të përkrahen nga institucionet.
“Duke llogaritur periudhën kohore që merr që një specializant të përgatitet profesionalisht e që mesatarja është 10 vite, atëherë kuptohet që vendi mund të shkoj në një kollaps si pasojë e mungesës së specialistëve. Këtij fakti duhet shtuar edhe vdekjet e fundit të papritshme të profesionistëve shëndetësor si pasojë e infektimit me Covid-19, e që çdo ditë e më shumë po vërehet ulja e numrit të specialistëve, e që doemos ishte e nevojshme hapja e specializimeve”.
“Duke pasur parasysh numrin e vogël të mjekëve specialist, në mes të zgjedhjes së tkurrjes së profesionistëve shendetësor dhe rritjes së kapaciteteve spitalore, atëherë mendojmë që rritja e kapaciteteve është më e favorshme dhe më e dobishme për sistemin tonë shëndetësor se sa tkurrja e specializantëve”, ka deklaruar Smajli. /Gazeta Shneta/