Në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës gjatë vitit të kaluar janë kryer mbi 19 mijë radiografi (Rëntgen) native, duke e bërë këtë metodë një nga mjetet kryesore diagnostike që përdoret nga profile të ndryshme mjekësore për vlerësimin e gjendjes shëndetësore të pacientëve.
Sipas njoftimit të spitalit, rentgeni nativ mbetet një nga metodat më të shpejta dhe më të përdorura diagnostike, pasi ofron një pasqyrë të qartë dhe të menjëhershme për mjekët, duke i ndihmuar ata të përcaktojnë hapat e mëtejshëm në diagnostikimin dhe trajtimin e pacientëve.
Në këtë institucion shëndetësor, përmes kësaj metode realizohen ekzaminime të ndryshme radiologjike që ndihmojnë në identifikimin e problemeve shëndetësore dhe në orientimin e trajtimit të mëtejshëm.
Rëntgeni nativ përdoret veçanërisht në raste urgjente, kur pacientët janë në gjendje kritike dhe kërkojnë vlerësim të shpejtë për ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.
Po ashtu, kjo metodë përdoret edhe për monitorimin e pacientëve të shtrirë në repartet e spitalit, si dhe për rastet ambulatore, ku pacientët paraqiten për kontrolle të rregullta dhe diagnostikime rutinë./Gazeta Shneta/




