Mjeku i pensionuar 71-vjeçar, i cili po punon vullnetarisht për shërimin e fëmijëve me probleme në zemër, thotë se është lodhur por nuk do të ndalet përkundër sfidave e vështirësive.
“Edhe gruaja po më thotë, kur të ndalesh do ta bëjmë një aheng, por unë po i them: Hajde martohemi për s’dyti dhe kështu e bëjmë ahengun sërish”. Kështu e nis bisedën Mazllum Belegu, i cili rrëfen historinë e kësaj pune mbi 10 vjeçare, shkruan Gazeta Shneta.
Pas formimit të Klubit Rotary në Pejë në vitin 2005, kishte nisur edhe misioni humanitar për shërimin e fëmijëve me probleme në zemër, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Belegu, tregon se si kishte ardhur ish-kryetarja e Shoqatës “Motrat Çiriazi”, me propozimin për dërgimin e 10 fëmijëve për shërim në Amerikë.
Belegu ishte angazhuar që emrat e fëmijëve t’i merrte në Ministri të Shëndetësisë. Pasi ishte dërguar një fëmijë, puna ishte ndërprerë përkohësisht. Por njëri nga kontribuuesit, kishte shkuar në Universitetin e Harvardit për studime nga ku kishte rënë sërish në kontakt me organizatën ndërkombëtare “Gift of Life”, për të rinisur misionin sërish në vitin 2009. Prej këtij viti, deri në 2012-ën, ishin dërguar nga 3 fëmijë. Por organizatorët në SHBA, kishin kërkuar që të identifikohen më shumë fëmijë dhe me i dërgua nëpër spitale të ndryshme.
Belegu rrëfen se në vitet 2012-2013 i kanë dërguar 30 fëmijë për shërim përveç në SHBA, edhe në Korenë Jugore, Izrael, Gjermani, Itali e Angli. Puna më tej ka vazhduar nëpërmjet organizatës simotër e cila ishte themeluar edhe në Kosovë. Belegu thotë se Ministria i paguan biletat e udhëtimit, por organizata i mbulon shpenzimet nga ndryshimet e datave të biletave.
“Kjo është puna ime, por taksirat është që Ramushi po na pengon”, nënvizon ai në mes të bisedës për Gazetën Shneta, një histori kjo që tashmë është trajtuar disa herë nëpër media.
“Pengesa është mosmarrëveshja me personelin e Klinikës së Pediatrisë, me doktorin i cili i cakton fëmijët. Ai (Ramush Bejiqi v.j.) është person me dy natyra, nganjëherë të duket se po i rrjedh qumësht e mjaltë nga goja, por herën tjetër duket negativ dhe që nuk toleron askënd”, shprehet pensionisti 71-vjeçar.
Belegu thotë se Bejiqi kishte kundërshtuar edhe ardhjen e echo-sonografisten, duke thënë se stafi i Klinikës e kryen këtë punë.
“Ramushi ma dha një komplet me lista. Unë kisha kërkuar 60 deri 80 fëmijë, e ai i kishte listuar vetëm 43. Pastaj m’i dërgoi edhe tri lista të tjera, me nga tre emra të njëjtë në të tria”, deklaron Belegu.
Belegu pohon se Bejiqi kishte futur fëmijë të tjerë në kontrolle, pasi ishin përfunduar listat me emrat që ai vet i kishte caktuar. Ai shton se mjekët e huaj kishin paralajmëruar se në këto kushte nuk do të vinin më.
“Unë e kam bërë një raport për krejt këtë muhabet të cilin fillimisht ia kam dërguar drejtorit të QKUK-së, Curr Gjocajt, pastaj edhe ministrisë. Kam kërkuar takim që të diskutojmë, sepse mendoj që edhe Ramushi ka kryer punë në krejt këtë, por deri më tani veç e kanë zvarritur takimin dhe nuk më kanë ftuar”, shprehet ai.
“Drejtori Gjocaj pas insistimit tim, pranoi të takohej por më tha se nga deklaratat e Ramushit për ty, duhet me e thirr Policinë. Unë i thash se për këtë do t’ua dija për nderë dhe jam i gatshëm”, pohon Belegu.
Ai thotë se pas akuzave që i ka bërë Bejiqi ndaj tij, nuk do të heshtë por po pret që të ndodhë takimi që ka kërkuar.
Belegu thotë se do të vazhdojë punën vullnetare dhe tregon se deri më tani janë 85 raste të shërimit të fëmijëve, ndërsa pritet që të dërgohen edhe pesë të tjerë gjatë javëve në vazhdim.
Këta janë numrat në të cilët duhet të kontaktojnë prindërit që kanë nevojë për shërimin e fëmijëve: 045 27 27 10 dhe 045 27 27 11.
Ai tregon se Klubi Rotary e ka bërë një projekt për blerjen e një aparati DXA për matjen e dendësisë e ashtit i cili do t’i dhurohet QKUK-së.
“Tash e kemi gjet një mik i cili është duke na ndihmuar për blerjen e tij. Jemi duke bërë përpjekje që t’i mbledhim 45 mijë dollarë , aq sa kushton”. /Gazeta Shneta/