Në dy muajt e parë të vitit 2018, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, nuk është shënuar rënie e fluksit të pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore nga fruthi.
Më shumë se një mijë pacientë, që nga qershori i vitit 2017, kanë qenë të shtrirë në Klinikën Infektive me shenja klinike të fruthit, skruan Evropa e Lirë transmeton Gazeta Shneta.
Sipas infektologëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës thuhet se për 16 vjet me radhë nuk ishin paraqitur rast me fruth në Kosovë, deri në muajin mars të vitit të kaluar, kur edhe kishin filluar të paraqiten rastet e para. E gjithë kjo situatë, po ndodhë pavarësisht që Kosova radhitet në mesin e vendeve me përqindje të lartë të vaksinimit.
Statistikat zyrtare tregojnë se rreth 95% fëmijëve kosovarë janë të vaksinuar. Bazuar në të dhënat e autoriteteve vendore, përqindja e lartë e vaksinimit ka rezultuar suksesshëm deri së voni në parandalimin, rrallimin apo edhe zhdukjen e shumë sëmundjeve.
Sipas infektologut Sali Ahmeti fluksi i pacientëve në dy muajt e fundit, ka qenë i madh, ndonëse asnjë rast gjatë këtij viti nuk ka përfunduar me fatalitet.
“Në vitin 2017 ka pasur shumë raste me fruth. Numri me intensitet të njëjtë vazhdon të shfaqet edhe gjatë këtyre dy muajve të këtij viti në mënyrë të vazhdueshme. Sipas rasteve që i kemi hospitalizuar, janë mbi një mijë raste, dhe sa i përket konfirmimit të sëmundjes, ka rezultuar se numri i të prekurve është më i vogël, por që mbi një mijë kanë pasur manifestime klinike me fruth”, tha Ahmeti.
“Raste të vdekjeve këtë vit nuk ka pasur, ndonëse ka raste me komplikime, por që fatmirësisht këtë vit nuk ka vdekur askush”, theksoi ai.
“Realisht gjendja e luftës dhe pas luftës përkon me shfaqjen e fruthit, pasi që disa persona i kanë ikur vaksinimit, për shumë arsye, dhe kohëve të fundit kanë qenë të lansuara thënie për efektet anësore të vaksinimit dhe ato fushata kanë shtyrë njerëzit të mos i vaksinojnë fëmijët dhe kjo ka çuar deri tek një shpërthim i tillë”, tha Ahmeti.
Ndryshe, sipas një komunikatës të zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në Prishtinë, vala e madhe e sëmundjes së fruthit në vitin 2017 ka përfshirë shpërthime të mëdha 100 apo më tepër raste në 15 nga 53 shtetet në rajon.
Fruthi është sëmundje ngjitëse dhe serioze e shkaktuar nga një virus që përhapet nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë dhe përmes ajrit.
Ky virus mund të përhapet shpejt, sidomos në ato vende ku vaksinimi është nën shifrat 95% të popullsisë. / Gazeta Shneta