Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka njoftuar për mbylljen e dy ambulancave të mjekësisë familjare në Banjë dhe Syriganë nën dyshimin se kanë funksionuar ilegalisht nën menaxhim të strukturave paralele serbe.
Në një shkrim në Facebook, Lushtaku ka thënë se në AMF-të në këto dy vendbanime me komunitetin serb janë hasur medikamente pa banderola dhe me afat të skaduar dhe përdorim të vulave dhe recetave pa prezencë të mjekut.
“Ajo që kemi gjetur është e papranueshme: medikamente pa banderola dhe me afat të skaduar, përdorim i vulave dhe recetave mjekësore pa prezencën e mjekut dhe shumë shkelje të tjera që bien në kundërshtim me ligjet dhe protokollet shëndetësore. Kjo përveçse shkelje ligjore përbën rrezikim të drejtpërdrejtë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve”, ka shkruar Lushtaku në Facebook. “Nuk do të lejojmë që askush të rrezikojë jetën dhe shëndetin e qytetarëve duke vepruar jashtë sistemit dhe ligjeve të Republikës së Kosovës. Kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe kemi njoftuar edhe autoritetet përkatëse përfshirë edhe Agjencinë e Kosovës për produkte dhe pajisje medicinale”.
Ai ka shtuar se këto dy AMF mund të rikthehen në funksion kur të integrohen në sistemin shëndetësor të Kosovës dhe të zbatojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.




