Afër 47 milionë euro do të investohen në aparatura për QKUK-në nëpërmjet një kredie e cila pritet të sigurohet nga Qeveria e Kosovës
Projekti për këtë kredi është miratuar në Këshillin Nacional për investime dhe realizimi pritet të bëhet nga Qeveria e Kosovës, varësisht prej interesimit që do të ketë për të gjetur investitorët e mundshëm, lidhjen e ndonjë kredie apo, donatorët dhe bashkëfinancimin, shkruan Gazeta Shneta.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka deklaruar se projekti për furnizimin e institucioneve shëndetësore të nivelit dytësor dhe tretësor me pajisje paraqet një prej shtyllave kryesore të zhvillimit të kapaciteteve diagnostike që kanë për qëllim ruajtjen e jetës së pacientëve dhe qytetarëve.
“MSH, në emër të institucioneve shëndetësore i ka paraqitur Këshillit Nacional për Investime një projekt, brenda të cilit ka 39 projekte për pajisje mjekësore shumica e të cilave janë në QKUK 33 projekte dhe disa projekte për spitalet regjionale”, thotë Hoti.
Ai bënë të ditur se shuma e projekteve të propozuara është 46.969,004.00 Euro prej të cilave 44.784,614.00 janë projekte për QKUK.
Sipas Hotit, me këtë projekt do të përmbyllet nevoja për aparatura në QKUK për nevojat e tanishme.
“Me këtë projekt do të mundësohet kompletimi i Klinikës Emergjente e cila është në ndërtim e sipër, pastaj sistemin e diagnostifikimit ku në klinikën e Radiologjisë , pastaj sistemi i Onkologjisë i cili shërbim ka rritur shërbimet ndaj qytetarëve në vitet e fundit. Me këtë projekt do të kompletohet nevojat për aparaturë medicinale në QKUK dhe do të ndikonte në rritjen e numrit dhe cilësisë së shërbimeve në të gjitha fushat e nivelit terciar”, ka thënë ai.
Kërkesat e klinikave të paraqitura në SHSKUK janë vlerësuar nga fondacioni amerikan ‘Project Hope’.
“Ka kërkesa prej pajisjeve të thjeshta deri të ato më modernet. Përfshirë aparaturë, mjete për kabinete diagnostikuese, sisteme të ndryshme të pajisjeve, pajisje intervenuese, sete të ndryshme, dhe lloj-lloj sistemesh që ju hyjnë në punë klinikave dhe spitaleve të ndryshme”, ka treguar Hoti.
Ai ka shtuar se sigurimi i këtyre aparaturave do të nënkuptoj edhe shtimin e kapaciteteve për mirëmbajtjen e servisimin e tyre.
Aktualisht Ministria e Shëndetësisë është duke realizuar dy projekte me kredi, njëri me Bankën Botërore për reforma dhe kredia me Austrinë për fuqizimin e shërbimeve të kardiologjisë invazive dhe kardiokirurgjisë në QKUK.
“Ngjashëm, sigurisht do të provohet të bashkëpunohet edhe me mekanizma dhe shtete të tjera, të cilave MSH, përkatësisht Qeveria e Kosovës do t’ua prezantojnë projektin”, deklaron Hoti.
Ai po konsideron se me një elaborim të mirë, projekti mund të realizohet sikurse investimi në Spitalin e Vushtrrisë dhe atij që pritet të bëhet në Pediatrinë Kirurgjike në QKUK nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Hoti ka vlerësuar se me miratimin e këtij projekti po jepet shpresë se shëndetësia është një sektor ku duhet investuar për mbrojtjen shëndetësore të qytetarëve.
“Realizimi i këtij projekti synon që të kontribuoj në uljen e vdekshmërisë dhe sëmundjeve si pasojë e mungesës së pajisjeve adekuate për diagnostifikim të sëmundjeve në institucionet e nivelit dytësor dhe tretësor. Projekti po ashtu synon që të përmirësoj qasjen në kujdesin shëndetësor dhe ngritjen në cilësinë e shërbimeve shëndetësore”, ka thënë ai. /Gazeta Shneta/