Uthulla e hurmës, ja vlerat për shëndetin tuaj

2017-03-07 në ora 08:43

Hurma është një frut i pasur me vitaminë A, B6 dhe C. Ajo është e mbushur me minerale të dobishme siç janë: kalciumi, magnezi, fosfori, kaliumi si dhe fibra.

Hurma përmban pak kalori dhe aspak yndyrë, ndaj është një frut i rekomanduar për ata që janë në dietë. Ekstraktet e hurmës fermentohen dhe ofrohen në variante të shëndetshme të tonikut dhe uthullës.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, kjo uthull përdoret për të pastruar mëlçinë dhe gjakun. Uthulla e hurmës karakterizohet nga ngjyra e kaftë dhe shija e veçantë mes të ëmblës dhe të thartës. Vlerat shëndetësore të uthullës së hurmës:

Parandalon dëmtimet e mëlçisë dhe zorrëve

Uthulla e hurmës është një pastruese shumë e mirë e mëlçisë. Ajo rekomandohet kryesisht për njerëzit që pinë shumë alkool. Një studim i vitit 2008 arriti në konkluzionin se uthulla e hurmës ndihmon në parandalimin e dëmtimeve të mëlçisë nga konsumi i alkoolit. I njëjti studim tregon se uthulla e hurmës ndihmon në parandalimin e çrregullimeve të zorrëve.

Ul kolesterolin e keq

Konsumi i rregullt i uthullës së mollës ul kolesterolin e keq dhe zbut dëmtimet e mëlçisë. Uthulla e hurmës përmban disa substanca që ulin trigliceridet në sistem. Trigliceridet janë një lloj yndyre që digjet nga trupi për të marrë energji. Konsumimi i uthullës së hurmës është një mënyrë e shkëlqyer për të nisur uljen e kolesterolit të keq

Ndihmon në rritjen e gjallërisë, përqendrimit dhe rezistencës

Uthulla e hurmës përdoret në shumë pije komerciale për sportistët, sepse rrit rezistencën dhe përqëndrimin e atletëve. Shumë sportistë Aziatikë e konsumojnë uthullën e hurmës, sepse besojnë se ky tonik ndihmon në përthithjen e oksigjenit gjatë stërvitjes dhe shkurton kohën e rimëkëmbjes pas stërvitjes.

Parandalon obezitetin

Nëse po përpiqeni të bini në peshë, atëherë uthulla e hurmës do t’ju ndihmojë në shkrirjen e yndyrës shumë më shpejt. Një studim shkencor zbuloi që uthulla e hurmës, jo vetëm që parandalon obezitetin, por edhe normalizon nivelin e lipideve në gjak. Konsumimi i kësaj uthulle, krahas mbajtjes së një diete të shëndetshme dhe stërvitjes së rregullt, ndihmon në rënien e shpejtë nga pesha.