Përdorimi i agonistëve të receptorit peptid-1 të ngjashëm me glukagonin (GLP-1) për humbje peshe është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Studimet e reja tregojnë se këto medikamente mund të sjellin përfitime të rëndësishme jo vetëm për metabolizmin, por edhe për shëndetin kognitiv dhe të sjelljes.
Një studim i botuar në “Nature Medicine”, konfirmon se përdorimi i barnave GLP-1 mund të ulë rrezikun e varësisë nga alkooli, kanabisi, opioidet dhe stimuluesit, si dhe të reduktojë ndjeshëm rrezikun e krizave, ideve vetëvrasëse, vetëdëmtimit, bulimisë dhe çrregullimeve psikotike si skizofrenia, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Studimet sugjerojnë gjithashtu një efekt mbrojtës ndaj kushteve neurokognitive, duke përfshirë demencën dhe sëmundjen e Alzheimerit.
Megjithatë, përdorimi i barnave GLP-1 nuk është pa rreziqe. Analizat tregojnë se këto medikamente mund të rrisin rrezikun për pankreatit, probleme të veshkave dhe çrregullime gastrointestinale, si nauze, të vjella, diarre dhe, në raste të rralla, paralizë të stomakut. Një studim i fundit lidhte përdorimin e GLP-1 me gastroparezë dhe obstruksion të zorrëve.
Ekspertët theksojnë se barnat GLP-1 ofrojnë përfitime të shumta shëndetësore, por përdorimi i tyre duhet të monitorohet me kujdes për të minimizuar efektet anësore. Përfitimet neurologjike dhe sjellore mund të jenë të rëndësishme për pacientët, por mbikëqyrja mjekësore mbetet thelbësore për sigurinë.
Ky studim tregon se GLP-1 është një opsion premtues, por vendimet për përdorimin e tij duhet të balancojnë përfitimet dhe rreziqet e mundshme për secilin individ. /Gazeta Shneta/


