Disa prej pacientëve që kanë kërkuar sot shërbime nga Ambulanca Specialistike e Kirurgjisë Torakale, janë kthyer mbrapshtë.
Kjo për arsye se personeli mjekësor, mjekët dhe infermieret nuk janë gjendur në vendin e punës pas orës 11 deri në përfundim të orarit 12:30, shkruan Gazeta Shneta.
Në një video dhe disa fotografi të dërguara nga një pacient, shihet se mjekët nuk janë në vendin e punës pasi kanë shkuar për të ngrënë mëngjes.
“Jena në mëngjez”, kanë shkruar ata në një letër të ngjitur në derën e ambulancës.
Kjo ambulancë do të duhej të punonte nga ora 8:30 deri në ora 12:30. Të enjten kanë qenë dy doktorë që kryejnë shërbime, Dr. Fitim Selimi dhe Dr. Nazmi Kolgeci.
Sipas njoftimit të publikuar në derën e ambulancës nga Drejtori i Klinikës Dr. Saudin Maliqi, Dr. Kolgeci e ka të caktuar orarin e punës nga ora 10:30 deri në 12:30. I njëjti nuk është gjendur në vendin e punës.
Dr. Maliqi thotë se nuk është i njoftuar për mungesën e personelit mjekësor në ambulancën specialistike.
“Mund të jetë mbyllur për shkak të kundërmimit të kanalizimit, gjë që po ndodhë shpesh herë. Personeli po detyrohet ta mbyllë ambulancën pasi nuk po ka mundësi të trajtohen pacientët në ato kushte”, ka deklaruar ai për Gazeta Shneta.
Ai ka shtuar se problemet me ambulancat do të marrin fund kur të përfundon objekti i ri i Ambulancave Specialistike.
Megjithatë sipas njoftimit në derën e ambulancës, pacientët është dashur të presin për të marr shërbimet derisa personeli ta kryej “mëngjezin”. /Gazeta Shneta/