Një shpërthim i pazakontë i meningjitit B në Kent, Mbretërinë e Bashkuar, ka ngritur shqetësime për shkak të përhapjes së shpejtë dhe rasteve fatale. Sëmundja shkaktohet nga bakteri Neisseria meningitidis grupi B dhe prek membranat mbrojtëse të trurit dhe palcës kurrizore, duke mund të çojë edhe në infeksion të gjakut.
Ky bakter përhapet lehtësisht përmes kontaktit të ngushtë si kollitja, teshtitja, puthjet apo ndarja e gjësendeve si cigare, vape dhe pije. Edhe pse jo të gjithë të ekspozuarit sëmuren, ata që preken mund të përkeqësohen shumë shpejt, duke rrezikuar komplikime serioze si sepsa dhe dëmtime neurologjike, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Simptomat fillestare përfshijnë temperaturë, dhimbje koke, lodhje, të përziera dhe dhimbje muskujsh.
Me përparimin e sëmundjes mund të shfaqen qafë e ngurtë, ndjeshmëri ndaj dritës, konfuzion dhe të vjella.
Një shenjë paralajmëruese e rëndësishme është skuqja në lëkurë që nuk zbehet kur shtypet. Tek fëmijët, shenjat mund të jenë irritim, përgjumje dhe refuzim i ushqimit.
Ekspertët theksojnë se nëse dyshohet për simptoma, duhet kërkuar menjëherë ndihmë mjekësore. Trajtimi i hershëm me antibiotikë mund të shpëtojë jetën, ndërsa vonesat mund të kenë pasoja të rënda.
Parandalimi bazohet kryesisht në vaksinim për grupet me rrezik të lartë, si bebet, adoleshentët dhe personat me imunitet të dobët.
Higjiena bazë si larja e duarve, mbulimi i gojës gjatë kollitjes dhe shmangia e ndarjes së gjësendeve personale ndihmon në uljen e përhapjes.
Në përfundim, ndërgjegjësimi, reagimi i shpejtë dhe masat parandaluese janë thelbësore për të kufizuar përhapjen dhe për të shmangur komplikimet serioze nga meningjiti B. /Gazeta Shneta/


