Një studim i ri sugjeron se dërgimi i mesazheve të personalizuara SMS, që shërbejnë si përkujtues për marrjen e barnave të përshkruara, mund të përmirësojë ndjeshëm përputhshmërinë me terapinë dhe të ulë rrezikun e ri-hospitalizimit tek pacientët me insuficiencë kardiake.
Studimi u zhvillua në ‘Magnolia Regional Health Center’, dhe synoi të adresojë një boshllëk të rëndësishëm në kujdesin ndaj pacientëve me insuficiencë kardiake, një gjendje ku zemra nuk arrin të pompojë sasinë e nevojshme të gjakut për organizmin, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Sipas të dhënave shkencore, rreziku gjatë jetës për zhvillimin e kësaj sëmundjeje është në rritje dhe rreth një në katër persona pritet të preket prej saj.
Megjithëse ekzistojnë shumë medikamente efektive për trajtimin e insuficiencës kardiake, mosrespektimi i terapisë mbetet një problem i përhapur. Studime të viteve 2023 dhe 2025 tregojnë se përkatësisht 47% dhe 43.6% e pacientëve nuk i marrin barnat sipas rekomandimeve mjekësore.
Ekspertët theksojnë se kjo mospërputhje ka pasoja serioze, pasi edhe ndërprerje të vogla në trajtim mund të përkeqësojnë simptomat dhe të çojnë në komplikacione të rënda.
Një studim bashkëpunues mes Magnolia Regional Health Center në Misisipi dhe kompanisë së teknologjisë shëndetësore ‘DrFirst’ tregon se përkujtuesit automatikë me mesazhe tekst mund t’i ndihmojnë pacientët të menaxhojnë më mirë terapinë e tyre pas daljes nga spitali.
Analiza retrospektive, e publikuar së fundmi në “PLOS Digital Health”, dëshmon se shumica e pjesëmarrësve e pranuan pozitivisht këtë ndërhyrje, duke përfituar nga përmirësimi i ndjekjes së trajtimit dhe reduktimi i rikthimeve të shpejta në spital. /Gazeta Shneta/


