Lidhja mes mikroplastikëve dhe shëndetit njerëzor po bëhet një nga fushat më dinamike të kërkimeve shkencore. Një artikull i publikuar në revistën “Brain Medicine”, analizon veçanërisht ndikimin e tyre në trurin e njeriut dhe përshkruan mënyrat për të zvogëluar ekspozimin ndaj tyre.
Plastika nuk biodegradohet plotësisht, por shpërbëhet në grimca gjithnjë e më të vogla që njihen si mikroplastikë. Për shkak të përmasave të tyre të ndryshme, këto grimca mund të gëlltiten ose thithen nga çdo organizëm.
Sot ato janë të pranishme në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor, duke përfunduar në çdo pjatë ushqimi në botë. Sipas vlerësimeve, emisionet e mikroplastikëve në mjedis arrijnë nga 10 deri në 40 milionë tonë çdo vit dhe pritet të dyfishohen deri në vitin 2040 nëse nuk ndërmerren masa, shkruan Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Edhe pse studimet mbi këtë temë janë ende në fazat e hershme, rezultatet e deritanishme janë shqetësuese.
Mikroplastikët janë zbuluar në gjak, mushkëri dhe në mikrobiomën e zorrëve, me ndikime të mundshme mbi shëndetin e zemrës, fertilitetin dhe ekuilibrin e brendshëm të organizmit.
Një studim i fundit zbuloi se truri është organi me përqendrimin më të lartë të mikroplastikëve.
Për më tepër, u konstatua se individët që ndërruan jetë në vitin 2024 kishin mesatarisht 50% më shumë mikroplastikë në trurin e tyre krahasuar me ata që vdiqën vetëm tetë vjet më parë.
Ky zbulim thekson rritjen e shpejtë të problemit dhe nevojën urgjente për strategji parandaluese. /Gazeta Shneta/


