Mikroplastika mund të kontribuojnë në bllokimin e arterieve, duke rritur rrezikun për sulme në zemër ose tru, zbulon një studim i ri.
Sipas Shoqatës Amerikane të Zemrës, pllakat yndyrore në arteriet e qafës mund të përmbajnë më shumë se 50 herë mikroplastika krahasuar me arteriet pa pllaka, shkruan burimi Health Day përcjell Gazeta Shneta.
Nivelet e grimcave plastike ishin edhe më të larta tek pacientët që kishin kaluar më parë një sulm në tru, mini-sulm ose humbje të përkohshme të shikimit për shkak të bllokimit të enëve të gjakut.
Dr. Ross Clark, kirurg vaskular dhe udhëheqës i studimit në Universitetin e Nju Mexico, shpjegoi se këto lloje plastikash gjenden kryesisht në mjedis, veçanërisht në mbeturinat plastike të oqeaneve. Me kalimin e kohës, plastikat shpërbëhen, përzihen me tokën dhe ujin dhe hyjnë në zinxhirin ushqimor.
Megjithëse shumë njerëz besojnë se burimi kryesor i mikroplastikave janë enët plastike, ambalazhet apo shishet e ujit, studimi sugjeron se ushqimi dhe uji që konsumojmë janë rruga kryesore e ekspozimit.
Nanoplastikat, grimca plastike më të vogla se 1,000 nanometra, janë të padukshme për syrin e njeriut; për krahasim, një fije floku ka gjerësi 50,000–80,000 nanometra.
Studiuesit theksojnë se gjetjet duhet të konsiderohen paraprake derisa të publikohen në një revistë shkencore me shqyrtim nga kolegët.
Megjithatë, këto të dhëna theksojnë nevojën për të kuptuar më mirë ndikimin e mikroplastikave në shëndetin kardiovaskular dhe trurin. /Gazeta Shneta/


